Lidhje

Treshja u bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit të ruajnë paqen në rajon


Treshja ndërkombëtare diplomatike u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të shmangin dhunën gjatë procesit të bisedimeve. Ambasadori Frank Wisner tha se ishte shumë herët për të pasur ndonjë arritje në negociata dhe se ndërmjetësit do të vazhdojnë punën për të zbatuar afatin e bisedimeve dhe të raportit për sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së.

Përfaqësuesi amerikan Frank Wisner tha dje në aeroportin ndërkombëtar Dulles të Uashingtonit, sapo arriti nga Viena ku u mbajtën bisedimet me delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit, se objektivi i treshes kishte qenë që t’i bënin palët ta përqendronin vëmendjen tek ruajtja e paqes në rajon gjatë negociatave dhe pas tyre.

“Nuk duhet të ndërmarrin asnjë veprim që do të shkaktonte përplasje, dhunë dhe turbullira. Ne folëm me palët duke i nxitur ata që të kenë kujdesin maksimal në këtë drejtim, të ruajnë paqen dhe rendin dhe të mos mbajnë qëndrime që mund të provokojnë dhunë. Ne po përpiqemi të shmangim dhunën. Retorika politike është diçka që mund ta përballojmë”, tha Ambasadori Wisner.

Serbia paralajmëroi dje se do të kundërpërgjigjet nëse Kosova shpall pavarësinë dhe nëse vende të tjera e njohin Kosovën si shtet i pavarur, por ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç nuk foli në hollësi për hapat që mund të ndërmarrë Serbia në kundërpërgjigje të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ambasadori Wisner tha se nuk i kishte dëgjuar këto komente por shtoi:

“Sigurisht që askush nuk do të rrijë duarkryq para kërcënimeve dhe dhunës. Ne pikërisht për këtë po përpiqemi, të shmangim dhunën dhe të vendosim paqen”.

Përfaqësuesi amerikan nuk shfaqi ndonjë habi që në bisedimet e së enjtes nuk u arrit ndonjë sukses, pasi siç tha ai negociatat janë në faza shumë të hershme.

“Ata duhet të përpunojnë qëndrimet e tyre, secila nga palët dha ide paraprake dhe do të vazhdojmë të diskutojmë me ta më tej. Synimi ynë është që t’i angazhojmë palët, t’i ndihmojmë që të paraqesin idetë e tyre, të përpiqemi të gjejmë pika të përbashkëta, por ne do ta përfundojmë punën tonë deri në fillim të dhjetorit”.

Ambasadori Wisner theksoi rëndësinë e zbatimit të afateve dhe tha se treshja do t’i raportojë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së përmes Grupit të Kontaktit deri më 10 dhjetor.

Treshja e përbërë nga Ambasadori Wisner, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian Wolfgang Ischinger dhe diplomati rus Alexander Botsan-Kharchenko tha se bisedime të mëtejshme me të dyja palët do të zhvillohen muajin ardhshëm në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York. Ambasadori Wisner tha se shpresonte që më pas të realizohej një takim së bashku me palët e ndoshta edhe një takim direkt mes tyre. //kk//

XS
SM
MD
LG