Lidhje

Tupak Shakur, legjendari i muzikës rep


Ikona gangstere e muzikës rap...Tupac Shakur u bë një legjendë gjatë jetës por edhe pas vdekjes së tij. Një nga figurat më të debatueshme në muzikë, karriera e Tupac Shakurit u karakterizua nga dhuna dhe koha që kaloi në burg.

11 vjet më parë me 7 shator 1996, Tupac Shakur u qëllua katër herë nga një makinë në lëvizje e sipër në Las Vegas, Nevada. Gjashtë ditë më vonë ai do të ndërronte jetë.

Mamaja e Tupakut ishte anëtare e një grupi zezak për të drejtat civile dhe siç thoshte vet këngëtari, ajo ishte burimi i fuqisë për vetë atë. Mamaja e tij e kuptoi qysh herët se i biri kishte fuqi për të ndryshuar jetë njerëzish: “Djali im ishte një njeri magjik. Në jetët tona private ai ishte ylli ynë. Na i bëri jetët tona të shkëlqenin. E duam atë..ishte tejet i talentuar.” Gjithmonë në anën e kundërt të ligjit, Tupak u lirua nga burgu pasi ishte arrestuar për dhunë seksuale në vitin 1993 falë influencës së Marion Knight, drejtues i Death Row Records. Ai vuri 1,4 milion dollarë për lirimin e tij me kusht, nën obligimin për regjistrimin e tre albumeve me Death Row Records, përfshi këngën që zuri vendin e parë “California Love”.

Para se të qëllohej për vdekje, Tupac ishte në qendër të luftës gangstere të rivalitetit hip-hop të Perëndimit me Lindjen. Si figurë qendrore e zënkës mes kompanive të regjistrimit Death Row Records dhe Bad Boy Records...Tupak dëshironte të merrte përsipër dhënies fund të konfliktit. Armiqësia gangstere mes këngëtarëve rep të brigjeve lindore ose New Yorkut me brigjet perëndimore, Kalifronisë, ishte një luftë sharjesh publike dhe përplasjesh nëpër klubet e natës.

Superylli i kompanisë së regjistrimeve Death Row, Tupac Shakur, dhe banditi i sapodalë në skenën e artit B.I.G. apo Biggie Small me kompaninë e regjistrimeve Bad Boy të Sean Combs, kishin miqësi pavarësisht rivalitetit që kishin kompanitë e tyre të regjistrimeve. Edhe pse i lidhur me lindjen..New Yorkun dhe Baltimoren, Tupac kishte shprehur besnikërinë ndaj anës perëdimore.

Nga ana tjetër, Christopher Wallace i njohur si BIG nga Queens i New Yorkut njihej për mbipeshën dhe lirikat e tij tejet të mprehta dhe mjaft ngacmuese.

Në nëntorin e 1994, ndërkohë që Tupac shkonte në studion e regjistrimeve në një ndërtesë në qytetin e New Yorkut ku regjistronte edhe B.I.G. me Puffy Combs, ai u grabit nga një grup zezakësh dhe u qëllua me pesë plumba. Pavarësisht plagëve të marra, Shakur mbijetoi dhe akuzoi B.I.G.-in dhe Puffy Combs se fshiheshin pas incidentit në New York. Do kalonin vite rivaliteti ku pjestarët e dy grupeve do rriheshin, turpëroheshin dhe grabiteshin derisa do të vinte 7 shatori i vitit 1996.

Me 7 shtator 1996 raperi legjendar do të qëllohej për vdekje në pikën kulmore të karrierës së tij. Atë natë tragjike, Tupak mori pjesë në ndeshjen e boksit mes Mike Tyson dhe Bruce Seldon në kazinonë MGM Grand në Vegas. Rreth orës 11:15 të natës ai dhe drejtuesi i Death Row Records, Suge u larguan me BWV e këtij të fundit. Ndërkohë që prisnin dritën e semaforit, Tupak do të qëlloj për vdekje nga disa njerëz të panjohur në një makinë tjetër. Ai mori katër plumba, dy në gjoks dhe nga një në secilin krah, ndërkohë që Suge u gërvish nga një plumb rikoshe. Vrasësi i tij nuk është zbuluar kurrë.

Gjashtë muaj pas vrasjes së Tupacut, BIG qëllohet për vdekje në të njëjtin stil stiç ishte vrarë edhe Tupac Shakur. Shumë thonë se kjo ishte hakmarrje për Tupac Shakurin. Ngritja e shpejtë e Tupak Shakurit dhe rënia mbetet një nga historitë më enigmatike në historinë e muzikës. '

Pavarësisht vdekjes së tij, muzika e Tupak Shakur ka arritur të shitet mjaft mirë me rreth 67 milion kopje në mbarë botën..duke e bërë atë artisitin më të shitur të muzikës rap/hip-hop. Me një talent të rrallë, ai e ndjeu për detyrë që të shpërndante shpresë përmes vargjeve të tij inkurajuese prej rebeli.

Aktorja Jada Pinkett Smith pati një marrëdhënie të afërt me Tupakun që kur u njohën në moshë aoleshente e deri sa këngëtari ndërroi jetë. “Ai ishte si një vëlla. Lidhja jonë ishte tejet e veçantë. E kisha si vëlla dhe më këshillonte si baba.”

Në mesin e artistëve më të njohur të muzikës hip-hop të tëgjitha kohërave, Tupac Shakur konsiderohet si një hero për disa, martir për të tjerët dhe një legjendë nga të gjithë.

XS
SM
MD
LG