Lidhje

Ligjvënësit amerikanë komentojnë në prag të raportit për Irakun


Komandanti i forcave amerikane në Irak do të japë sot raportin e shumëpritur lidhur me efektivitetin e shtimit të trupave amerikane në Irak me 20 mijë ushtarë. Por, ligjvënësit në Uashington, kanë filluar tashmë të komentojnë mbi gjendjen e tanishme ushtarake në Irak, pa pritur më parë të dëgjojnë raportimine gjeneralit Petreas dhe ambasadorit Rajen Kroker:

Për muaj të tërë, Presidenti Bush nuk ka pranuar të bëjë komente lidhur me një afat të mundshëm për pakësimin e pranisë ushtarake amerikane në Irak, duke thënë se do të presë më parë të dëgjojë raportin e gjeneralit David Petreas mbi kushtet e sigurisë në Irak, pas shtimit të trupave amerikane atje.

Ai po ashtu, i kërkoi edhe popullit amerikan të mos nxitohet dhe për të dhënë gjykime, pa dëgjuar më parë raportimin e gjeneralit Petreas. Dhe tani ky moment ka ardhur. Pritet që gjenerali të njoftojë për përmirësimin e kushteve të sigurisë në disa nga rajonte më të rëndësishme në Irak.

Senatori republikan Lindsi Graham i Karolinës së Jugut, thotë se kjo do të thotë, se shtimi i trupave ka patur rezultat.

"Jam i mendimit, se nuk mund të mohohet fakti, se shtimi i numrit të trupave amerikane ka patur rezultat pozitiv. Gjendja e sigurisë në Irak është më e mirë nga ç’ka qenë. Provinca Anbar nuk është më në duart e armikut. Al Kaida po përpiqet të gjejë vend të fshihet. Pra, unë personalisht, jam i kënaqur me rezultatin e arritur pas shtimit të trupave. Atje tani ekziston një ripajtim politik lokal. Njerëzit në Irak janë lodhur nga lufta dhe, sipas mendimit tim, nuk do të kalojë shumë kohë, kur edhe politikanët në Bagdad të arrijnë të pajtohen për problemet kryesore që ka vendi", - tha Senatori.

Senatori Graham i bëri këto komente dje, në një intervistë për televizionin “Fox News”. Por optimizmi i zotit Graham nuk vihet re në komentet që bëri kolegu i tij, senatori demokrat i Massachusetsit, Eduard Kenedi.

Duke folur në porgramin “Face the Nation”, të televizionit CBS, senatori Kenedi argumentoi se gjendja e përgjithshme e sigurisë në Irak mbetet e tepër e rëndë.

"Tani gjendja në Irak është një kaos i vërtetë dhe unë jam i mendimit se përkushtimi ynë atje pa caktuar një afat kohor, që është edhe politika e administratës aktuale, do të thotë kaos edhe nesër, edhe në të ardhmen. Mundësia më e mirë për të bërë diçka për kaosin në Irak, është të sigurohemi që irakianët do t’i dalin vetë zot vendit të tyre. Dhe këtë atë mund ta bëjnë, vetëm nëse fillon tërheqja e trupave amerikane prej andej, - tha Senatori Kenedi.

Synimi kryesor i shtimit të trupave amerikane në Irak ka qenë krijimi i kushteve të sigurisë, që do t’i lejonte udhëheqjes irakiane të zgjidhte çështjen e vështirë të ripajtimit kombëtar. Por shumë zyrtarë në Washington, mes tyre edhe anëtarë të administratës së Presidentit Bush, kanë shprehur zhgënjim për ndarjet politike që ekzistojnë në radhët e qeverisë irakiane dhe për mossuksesin e udhëheqësve të vendit për të ndërmarrë hapa për zgjidhjen e ndarjeve sektare që ka vendi.

Në një intervistë që dha në programin “Late Edition” të CNN-it, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Irak, Mouafak al-Rubaie, u zotua për durim, kur është fjala për arritjen e synimeve politike në Irak, si dhe për aftësinë e këtij vendi për t’u vetëmbrojtur.

"Nuk jam i mendimit se ne duhet të caktojmë një ditë, kur do të jemi në gjendje për të qenë të pavarur. Ne po përpiqemi së tepërmi për ta përshpejtuar procesin, për të arritur një status të tillë, kur të qeverisim pa ndihmë nga jashtë."

Gjenarali Petreas do të dëshmojë krahas me ambasadorin Rajen Croker para komisioneve të Kongresit. Presidenti Bush pritet t’i drejtohet vendit me një fjalim mbi gjendjen në Irak, po këtë javë.//lk

XS
SM
MD
LG