Lidhje

Ish kryeministri pakistanez dërgohet në Arabinë Saudite


Ish-kryeministri i Pakistanit, Navaz Sharif, u dëbua sot në Arabinë Saudite, pasi u përpoq të kthehej në Pakistan pas 7 vjetësh në mërgim. Zoti Sharif mbërriti në Xheda vetëm disa orë pasi shkoi në Islamabad.

Pas një ballafaqimi me autoritetet, që zgjati 90-minuta në aeroplan sot, zoti Sharif u dërgua në terminalin e aeroportit. Pastaj ai u arrestua nën akuzat, siç thanë zyrtarët, për korrupsion dhe pastrim parash, para se të futej në një aeroplan, që shkonte në Arabinë Saudite.

Zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit, Shan Mekormek, tha se vendimi për dëbimin e zotit Sharif është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Lartë të Pakistanit muajin e kaluar, i cili hapte rrugën për kthimin e ish kryeministrit në atdhe.

Ministri i Brëndshëm i Pakistanit ka thënë se çfarëdo që t’i ndodhi ish kryeministrit, për të do të zbatohet ligji. Qeveria kishte thënë se do ta arrestonte zotin Sharif, nëse ai kthehej në Pakistan. Zoti Sharif u rrëzua nga pushteti me anë të një grusht shteti të përgjakshëm më 1999 i kryesuar nga presidenti i tanishëm dhe shefi i ushtrisë, gjenerali Pervez Musharaf. Zoti Sharif kishte thënë se kishte si qëllim të sfidojë Presidentin Musharaf në zgjedhjet e ardhshme. //rd//

XS
SM
MD
LG