Lidhje

Plani Ahtisaari është më i miri i hartuar për mbrojtjen e pakicave


Henry H. Perrit Jr., profesor juridiku në Kolegjin Kent të Çikagos, thotë se plani Ahtisaari është plani më i mirë i hartuar për sa u përket mbrojtjes së të drejtave të pakicave dhe ngul këmbë në rëndësinë e miratimit të tij. Profesori Perrit, së bashku me këshilltarin kryesor politik të Marti Ahtisaarit, Kai Sauer, po shkruajnë një libër mbi procesin e statusit përfundimtar të Kosovës me titull “Statusi Përfundimtar i Kosovës: Prapaskena e një Diplomacie të Sofistikuar Shumëkahëshe.” Në një intervistë me kolegen Bardha Shpuza Azari, ai thekson se pavarësia e Kosovës është e domosdoshme për të parandaluar skenarët e dhunës, të një shteti të dështuar dhe terrorizmit dhe për të garantuar stabilitetin në rajon.

Zëri i Amerikës: Profesor Perrit le të ndalemi fillimisht tek libri juaj, çfarë të reje ofron ai?

Henri Perrit: Libri do të sjellë më shumë të reja seç kemi pritur fillimisht. Unë dhe këshilltari politik i zotit Ahtisaari, Kai Sauer, menduam kur e filluam librin në prill të këtij viti, se plani Ahtisaari do të miratohej shpejt nga Këshilli i Sigurimit. Por meqë kjo nuk ndodhi, libri përshkruan jo vetëm se si zoti Ahtisaari u përfshi në çështjen e mbikqyrjes së negociatave dhe si e hartoi planin e tij me delegacionin e Prishtinës dhe Beogradit, por edhe diplomacinë e tanishme pas planit Ahtisaari.

Zëri i Amerikës: Pas zhvillimeve të reja, tërheqjes së rezolutës dhe zgjatjes së negociatave, sipas mendimit tuaj, ku qëndron sot plani Ahtisari?

Henri Perrit: Unë nuk kam dëgjuar asnjë kritikë për sa i përket meritave të këtij plani. Dhe kushdo që di sado pak për Kosovën, apo për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, thotë se plani i tij është rekomandimi më i mirë dhe më i hollësishëm, që është hartuar deri tani në Europë për mbrojtjen e të drejtave të pakicave në një shoqëri shumë-etnike. Nuk kam dëgjuar sugjerime për ndryshimin e mënyrave kryesore për përmirësimin e këtyre të drejtave. Pra, plani nuk ka asgjë të keqe. Kjo është thjesht politikë e fuqive të mëdha dhe ripohimi e interesave ruse në botë.

Zëri i Amerikës: Çfarë pasojash do të kishte skenari gjithnjë e më i përfolur, ai i shpalljes së pavarësisë nga populli i Kosovës?

Henri Perrit: Askush nuk beson se negociatat mund të sjellin një marrëveshje. Madje, disa janë treguar aq të papërgjegjshëm sa të shtrojnë edhe mundësinë e ndarjes, duke shpresuar se kjo mund të sjellë një marrëveshje, por sigurisht që njerëzit janë tërhequr nga kjo. Tani nuk ka të ngjarë të shohim një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës. Mund të them se këtu ka dy skenare e gjysëm. I pari është që procesi të vazhdojë deri me 12 dhjetor dhe pastaj parlamenti i Kosovës të deklarojë pavarësinë dhe ajo do të njihej nga Shtetet e Bashkuara, disa vende europiane si dhe vende të tjera. I dyti është një rezolutë e re e Këshillit të Sigurimit, por mendoj se kjo nuk ka të ngjarë, meqenëse Rusia nuk duket se do ta ndryshojë kundërshtimin e saj dhe nuk ka arsye që ky qendrim të ndryshojë pas dhjetorit. Dhe e treta është vonesë e vazhdueshme dhe bllokim i procesit.

Zëri i Amerikës: Bashkimi Europian duket se do të marrë përsipër misionin në Kosovë nga Kombet e Bashkuara. Sa i vështirë mund të jetë ky mision, duke pasur parasysh qëndrimet e ndryshme të vendeve anëtare të BE-së ndaj statusit përfundimtar të Kosovës?

Henri Perrit: Të gjithë pajtohen se mënyra më e mirë për ta zgjidhur çështjen e Kosovës është nëpërmjet një rezolute të Këshillit të Sigurimit, që do të zbatonte planin Ahtisaari dhe me një Europë të bashkuar në këtë qendrim. Megjithatë, problemi qendron tek fakti se Rusia e ka bllokuar këtë variant. Prandaj, mënyra më e mundshme e veprimit do të jetë të ecet përpara pa një rezolutë të tillë, kjo do të thotë se roli i Europës do të jetë më i vështirë, por kjo nuk e bën të pamundur zbatimin e një misioni të BE-së atje. BE-ja mund ta krijojë misionin në bazë të politikës së përbashkët të sigurisë dhe punëve të jashtme të Bashkimit Evropian, pak a shumë në të njëjtën mënyrë që trajtoi pavarësinë e Malit të Zi. Pastaj supozoj se do të kishim shumicën e vendeve anëtare të BE-së që do të mernin pjesë në këtë mision në Kosovë.

Zëri i Amerikës: A mendoni se ligji ndërkombëtar ekzistues është i mjaftueshëm për të zgjidhur çështjen e Kosovës?

Henri Perrit: Ligji ndërkombëtar nuk zgjidh thuajse asnjëherë problemet ndërkombëtare, sepse këto të fundit nga natyra janë politike. Por ligji ndërkombëtar mund të sigurojë udhëzime apo korniza brenda të cilave mund të merren vendime politike. Mendoj se shumë njerëz të interesuar për statusin përfundimtar të Kosovës, kanë dëshirë të besojnë se shtetet bëhen të pavarura me rezolutë të Këshillit të Sigurimit. Faktikisht, kjo s’ka ndodhur pothuajse kurrë. Historikisht, dhe mënyra që ligji ndërkombëtar parashikon që shtetet të bëhen të pavarura është që ata të shpallin pavarësinë dhe të përmbushin kritere të caktuara, të cilat Kosova i përmbush, dhe pastaj vendet e tjera e njohin atë. Kjo është mënyra tradicionale e pavarësimit të vendeve dhe ky më duket skenari më i mundshëm për Kosovën.

Zëri i Amerikës: A mendoni se çështja e Kosovës paraqet një rast të veçantë, apo a mund të krijojë një precedent?

Henri Perrit: Mendoj se rasti i Kosovës është i veçantë. Askund tjetër nuk ka ndërhyrë NATO-ja për të mbrojtur të drejtat e njeriut, dhe për të larguar një forcë pushtuese, që përdorte çdo mjet për të dëbuar popullsinë nga një zonë gjeografike. Askund nuk ka ndodhur që OKB-ja të marrë përsipër qeverisjen e një territori dhe Këshilli i Sigurimit askund tjetër nuk i ka dhënë mandatin OKB-së të qeverisë një provincë, duke e shoqëruar atë me përpjekje për të caktuar statusin përfundimtar të saj. Prandaj, nuk ka vështirësi për ta përcaktuar Kosovën si rast të veçantë, qoftë nga ana intelektuale, apo ajo teorike. Çështja e precedentit është politike, sepse njerëzit përdorin si precedent çfarëdo që e mbështet mendimin e tyre. Dhe çfarëdo që të ndodhë në Kosovë, do të ketë përpjekje që në të ardhmen, në mënyrë retorike, të përdoret si precedent.

Zëri i Amerikës: Si e shihni të ardhmen e Kosovës? Ç’do të ndodhë pas negociatave? A pritet të ketë vonesa të tjera?

Henri Perrit: Presioni për ta shtyrë zgjidhjen do të jetë shumë i madh. Mendoj se udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara duhet të vazhdojnë përpjekjet për të marrë një vendim para fundit të këtij viti, sepse, përndryshe, argumentet për vonesa të mëtejshme mund të shtohen shpejt. Është e qartë se e ardhmja e Kosovës dhe e sigurisë në Europën Jugore është shumë më e mirë me një Kosovë të pavarur, sesa me vonesa të mëtejshme dhe me dështimin e BE-së për të marrë një vendim. Nëse Kosova bëhet e pavarur, pavarësisht nga mënyra, kjo do të lejojë Kosovën, Serbinë, Europën dhe Shtetet e Bashkuara të fillojnë të shikojnë nga e ardhmja, në vend që të vonojnë vendimet që lidhen me ekonominë dhe sigurinë për shkak të preokupimit me negociatat e statusit përfundimtar. Nëse kjo nuk ndodh dhe ka vonesa të tjera, ekziston një mundësi serioze për dhunë, dhe jo vetëm nga shqiptarët e Kosovës, por edhe nga serbët e Kosovës, të cilët do ta kuptojnë se janë braktisur nga Beogradi, dhe do të ndihen tepër të kërcënuar nga kjo situatë. Përveç kësaj, dhuna mund të përhapet shpejt në të gjithë rajonin duke na kthyer në situatën e viteve 1990 me rrethana që do të ishin më të vështira se Bosnja. Edhe nëse nuk do të ketë dhunë, aty ekziston rasti klasik i një shteti të dështuar, që do të shkaktonte flukse refugjatësh, që rajoni nuk është i përgatitur t’i përballojë, dhe mund të krijonte terrorizëm të një lloji që nuk është parë në Ballkan as në vitet 1990. Pra kjo do të sillte pasoja shumë të pakënaqshme.//iç//

XS
SM
MD
LG