Lidhje

Serwer: Pranimi i planit Ahtisaari është një lëshim nga ana e Prishtinës


Autori i një dokumenti ku propozohen hapat e mëtejshme drejt pavarësisë së Kosovës thotë se gjendja e tanishme është në thelb burim paqendrueshmërie. Daniel Serwer i Institutit të Paqes thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës, se Prishtinës po i kërkohet shumë duke e nxitur të zbatojë planin Ahtisaari në mënyrë të njëanshme, në këmbim të premtimit për njohje nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende kyçe të Bashkimit Evropian. 11 ekspertë dhe ish-zyrtarë të tjerë amerikanë e kanë nënshkruar dokumentin e hartuar nga zotin Serwer.

Zëri i Amerikës: Zoti Serwer, në dokumentin tuaj të fundit shprehet nevoja për hapa të shpejta që më 11 dhjetor lidhur me pavarësinë e Kosovës. Pse kjo ndjesi urgjence në gjithë dokumentin?

Daniel Serwer: Ne mendojmë se gjendja e tanishme nuk mund të vazhdojë më. Ajo është në thelb burim paqëndrueshmërie. Kështuqë ne mendojmë se është e rëndësishme të veprojmë sa më shpejt të jetë e mundur, sapo të mbarojë kjo fazë negociatash. Unë do të parapëlqeja të vepronim brenda Këshillit të Sigurimit, por për të bindur rusët dhe Beogradin për një gjë të tillë, duhet të jemi të përgatitur të veprojmë jashtë tij, nëse ata bllokojnë zgjidhjet brenda tij.

Zëri i Amerikës: Ju flisni për atë që duhet të bëjnë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Por në fakt çfarë parashikoni ju se do të ndodhë pas 10 dhjetorit?

Daniel Serwer: Dokumenti nuk do të ishte shkruar po të mos kishte një mundësi të madhe që kjo çështje, për shkak se nuk është më e rëndësishmja në arenën ndërkombëtare sot, të zvarritej për një kohë të gjatë, gjë që ne mendojmë se do të sillte mungesë qëndrueshmërie, madje edhe dhunë.

Prandaj ne e shkruam këtë dokument, sepse nuk po bëhen përgatitjet e duhura dhe ne donim të theksonim se duhen marrë masat.

Por ka kohë për t’u përgatitur nëse dy muajt e ardhshëm përdoren në mënyrë efektive.

Zëri i Amerikës: Cilat mendoni se janë hapat që duhet të ndërmarrin Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për të mos lejuar që çështja e Kosovës të bllokohet?

Daniel Serwer: Ata duhet bëjnë përgatitje për planin e zgjidhjes së çështjes së statusit jashtë Këshillit të Sigurimit. Rezoluta 1244 e OKB-së nuk përcakton statusin përfundimtar të Kosovës. Ajo thotë se do të ketë një proces që do të çojë në zgjidhjen e statusit. Ai proces tashmë ka përfunduar. Plani Ahtisaari është rezultati i këtij procesi. Megjithatë rusët e kanë bllokuar zbatimin e tij deri tani në Këshillin e Sigurimit dhe është koha që njerëzit që duan të respektojnë procesin e parashikuar në rezolutën 1244, ta zgjidhin atë jashtë Këshillit të Sigurimit nëse do të ishte e nevojshme. Rezoluta nuk kërkon një vendim të Këshillit të Sigurimit. Duhet ta bëj të qartë: do të ishte më mirë që të realizohej një vendim i tillë, pa diskutim. Nëse Këshilli i Sigurimit do ta miratonte planin Ahtisaari, do të ishte zgjidhja më e mirë. Por nëse kjo rrugë bllokohet, duhet të ketë një rrugë të tjetër që të mos lejojë të vazhdohet me këtë bllokim më tej.

Një shtet mund të formohet pa pasur nevojë për votën e Këshillit të Sigurimit, derisa të kërkojë anëtarësim në Kombet e Bashkuara. Por ajo që nuk bëhet dot pa miratimin e tij, është vendosja e pranisë civile ndërkombëtare dhe misionin e Bashkimit Evropian, që janë të nevojshme për zbatimin e planit Ahtisaari. Prandaj ky grup ekspertësh po propozon rrugë alternative që do të bënin të mundur vendosjen e pranisë civile, siç parashikohet në planin Ahtisaari.

Zëri i Amerikës: Nëse nuk arrihet asgjë me këto negociata, më 11 dhjetor, pse duhet të pranojë Prishtina planin Ahtisaari pa pasur garanci se çfarë do të ndodhë, pse të mos shpallë në fakt pavarësinë pa e kushtëzuar me planin Ahtisaari?

Daniel Serwer: Pikërisht këtë po themi në dokument: që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kryesorë duhet të jenë të përgatitura ta njohin pavarësinë e Kosovës, nëse Kosova është e gatshme të zbatojë planin Ahtisaari. Ne nuk po inkurajojmë ndonjë veprim të njëanshëm, pa kufizime për Kosovën. Përkundrazi, ne po themi se plani Ahtisaari duhet zbatuar.

Personalisht unë mendoj se do të jetë shumë e vështirë për shumë arsye, qofshin këto teknike, por edhe politike. Fakti është se Prishtina e pranoi planin Ahtisaari, duke menduar se Beogradi dhe Rusia do të binin dakord me të, gjë që nuk po ndodh. Kështuqë në fakt me këtë dokument Prishtinës po u kërkohet shumë që të zbatojnë planin Ahtisaari pa marrë në këmbim të saj maksimumin e asaj që ata donin: pra që Beogradi dhe Moska të binin dakord.

Pas 11 dhjetorit parashikohet një fazë 120 ditëshe tranzicioni për vendosjen e pranisë civile ndërkombëtare dhe për t’u përgatitur për pavarësinë. Kështuqë mesa e shoh unë pavarësia nuk do të arrihet para pranverës. Dhe është e vërtetë që ne po presim shumë nga shqiptarët duke u kërkuar që ta zbatojnë planin Ahtisaari në mënyrë të njëanshme.//kk//

XS
SM
MD
LG