Lidhje

Albin Kurti: Më mbajnë në burg që të mbysin zërat opozitarë në Kosovë


Drejtuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila kundërshton negociatat për statusin e Kosovës, zgjohet çdo ditë në orën 6 e 30 të mëngjesit, një shprehi kjo siç thotë ai e mbetur nga burgjet e tij. Tash e dy muaj me radhë ai është në arrest shtëpie, një masë kjo që i është zgjatur edhe për dy muaj të tjerë.

Albin Kurti u arrestua më 10 shkurt të këtij viti pas një proteste të lëvizjes së tij, ku gjatë ndërhyrjes së forcave të policisë humbën jetën dy veta dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Një prokuror amerikan, tha se dy protestuesit u vranë nga plumbat e kauçukut të përdorur nga njësia policore e Rumanisë që shërbente ne kuadër të policisë së Kombeve të Bashkuara. Një tjetër prokuror ndërkaq e akuzon Albin Kurtin në lidhje me këto protesta. Albin Kurti para luftës u bë i njohur si njëri nga udhëheqësit e lëvizjes studentore në Kosovë.

Gjatë luftës ai punoi në zyrën e veprimtarit të njohur Adem Demaci i cili ishte përfaqësues politik i ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në prill të vitit 1999 Albin Kurti u arrestua nga forcat serbe dhe në mars të vitit 2000 një gjykatë në Serbi e dënoi me 15 vjet heqje lirie. Në dhjetor të vitit 2001 ai u kthye në Kosovë. Nga viti 2004 ai drejtoi lëvizjen vetëvendosje dhe gjatë kësaj kohe u burgos disa herë me radhë.

Po mendoj se në kohën e Serbisë kam qenë rob lufte e tash jam i burgosur politik, për shkak se mua më mbajnë në burg që t’i frikësojnë qytetarët e tjerë dhe në këtë mënyrë ta heshtin çfarëdo zëri opozitar në Kosovë”.

Tridhjetedyvjeçari Albin Kurti tërheq një paralele ndërmjet zhvillimeve të para dhjetë viteve kur ishte udhëheqës I një lëvizjes studentore dhe ditëve të sotme në krye të një lëvizjeje që kërkon pavarësi pa negociata.

Ngjashmëria me angazhimin tim politik para dhjetë vjetëve është se edhe atëherë e kishim një sistem që e shtypte popullin edhe tash e kemi një sistem që e shtypë popullin, por dallimi është në natyrën e kësaj shtypjeje dhe shkallën e saj mbase

Lëvizja Vetëvendosje kundërshton propozimin e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari për pavarësi të mbikëqyrur. Ky propozim sipas Vetëvendosjes nuk ka në vete shtyllat e shtetësisë, ndërsa nëpërmjet decentralizimit krijon mundësi për ndarjen e Kosovës. Sipas këtij propozimi, Misioni i Kombeve të Bashkuara largimin e të cilit e ka kërkuar në vazhdimësi lëvizja vetëvendosje do të zëvendësohet nga një mision i Bashkimit Evropian. Krejt këto të papranueshme për lëvizjen sipas së cilës pavarësia e Kosovës nuk mund të arrihet me negociata dhe se vazhdimi I tyre thotë zoti Kurti është rrugë për të mbajtur gjendjen aktuale në Kosovë.

Negociatat shtesë bëhen që të krijohet përshtypja se po bëhen përpjekje dhe zhvillime për zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës, në mënyrë që të kërkohet prej popullatës së Kosovës që edhe më tutje të heshtë edhe më tutje të durojë dhe edhe më tutje të presë e shpresojë se pavarësia vjen nga lart dhe nga jashtë. E lëvizja Vetëvendosje edhe me vetë emrin tregon se ne nuk e theksojmë rezultatin, por mënyrën. E mënyra është e gabuar në rastin e Kosovës. Pra duhet jo negociata, duhet vetëvendosje”.

Ai thotë se komuniteti ndërkombëtar do të mbështesë çdo veprim të vendosur të popullit të Kosovës për lirinë e tij. Mirëpo, thekson ai, për shkak të mënyrës së si veprohet politikisht në Kosovë, faktorët ndërkombëtarë ushtrojnë më shumë trysni aty ku ka më pak rezistencë e kjo është Prishtina. Sipas tij, pluralizmi politik bëhet i mirëfilltë vetëm pas vendosjes së demokracisë nëpërmjet vetëvendosjes. Ai thotë se zgjedhjet e caktuara për 17 nëntor janë tërheqje e vëmendjes nga çështja kryesore ajo e statusit politik.

Qëllimi i këtyre zgjedhjeve është që ta shmangin vëmendjen e opinionit publik në Kosovë, nga çështja e statusit politik të Kosovës kah votimet për partitë politike dhe në këtë mënyrë energjia të mos kanalizohet në përpjekjet për liri e pavarësi, por në votimet për politikanë të ndryshëm që mbesin në suazat e këtyre institucioneve që edhe janë krijuar edhe kontrollohen prej UNMIK-ut”.

Zoti Kurti thotë se lëvizja e tij është me popullin e Kosovës, ndërsa partitë politike dhe UNMIK-u nuk janë me të. Në Kosovë thotë ai nuk ka përputhje ndërmjet vullnetit të popullit dhe sistemit politikë. Format e veprimit të zotit Kurti dhe lëvizjes vetëvendosje jo rrallë janë bërë objekt debatesh edhe rreth orientimit politikë të tyre.

Po unë mendoj që neve na kanë vënë gjithfarë etiketash në mënyrë që të na përjashtojnë. Mënyra më brutale e përjashtimit të dikujt ose të ndonjë grupi është duke i vënë etiketa dhe duke vënë në shërbim më pas agjitacionin dhe propagandën. Në lëvizjen tonë ka edhe liberalë edhe socialistë edhe konservativë, që të gjithë jemi bashkë sepse jemi dakord se na mungon shteti, na mungon sovraniteti. Në momentin kur do ta kemi shtetin dhe sovranitetin, në momentin kur do të arrihet dhe realizohet vetëvendosja, atëherë ka shumë mundësi që lëvizja vetëvendosje nuk do të mund të qëndrojë si e tillë”.

Në dalje të ndërtesës ku jeton Albin Kurti ruajnë dy pjesëtarë të policisë së Kosovës. Ai thotë se ata nuk e ruajnë atë, por sistemin prej tij. Të mërkurën më 19 shtator Albin Kurti pritet të dalë pata gjyqit, për herë të parë për t’u përballur me akuzat kundër tij. Po atë ditë në Londër vazhdojnë negociatat për statusin e Kosovës.//kk//

XS
SM
MD
LG