Lidhje

Reagime të ndryshme ndaj komenteve të Kushnerit për Iranin


Reagimet e komunitetit ndërkombëtar kanë qenë të ndryshme lidhur me propozimet e Francës që Bashkimi Evropian të vendosë sanskione ekonomike ndaj Iranit, nëse nuk heq dorë nga programi i tij bërthamor dhe të jetë i gatshëm për luftë nëse diplomacia nuk ka sukses.

Hollanda shprehu mbështetjen për komentet e Ministrit të Jashtëm Francez Bernard Kouchner, sipas së cilave Bashkimi Evropian duhet të vendosë sanksionet e veta kundër Teheranit nëse vazhdonte të ndiqte programin bërthamor. Por duke folur në një konferencë shtypi me zotin Kouchner në Paris, Ministri i Jashtëm hollandez Maxime Verhagen tha se alternativa më e mirë do të ishte përforcimi i sanksioneve ekzistuese kundër Iranit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Zoti Kouchner shkaktoi reagime dje, jo vetëm me propozimin e tij për sanksione të Bashkimit Evropian, por edhe kur tha se komuniteti ndërkombëtar duhej të ishte i gatshëm për luftë me Iranin, nëse çdo rrugë tjetër dështonte. Shefi i diplomacisë franceze tha se bota duhej të përgatitej për variantin më të keq kur bëhej fjalë për Iranin. Pyetjes se cili ishte variani më i keq, ai iu përgjigj “Lufta”. Megjithatë ai bëri gjithashtu thirrje për vazhdimin deri në fund të negociatave.

Qeveritë perëndimore po përpiqen ta bindin Iranin që të heqë dorë nga programi i tij bërthamor, ose përndryshe do të përballet me sanksione më të rrepta të OKB-së. Teherani këmbëngul se programi i tij është për qëllime paqësore.

Agjencia zyrtare e lajmeve e Iranit, IRNA e akuzoi Francën se po e ashpërsonte qëndrimin e vet për t’u bërë qejfin Shteteve të Bashkuara. Mohamed El Baradei, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike tha se nuk janë ezauruar ende të gjitha alternativat e tjera me Iranin. Po ashtu radioja franceze RFI njofton se edhe Ministri i Jashtëm i Austrisë i kritikoi komentet e zotit Kouchner.

Këtë të premte, gjashtë vendet e përfshira në bisedimet për çështjen bërthamore të Iranit, Rusia, Kina, Franca, Britania, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara, pritet të diskutojnë në Uashington për mundësinë e sanksioneve të reja kundër Teheranit. Ndërkohë në Francë, kreu i Partisë Socialiste ka bërë thirrje për një debat mbi Iranin në Parlamentin Francez. //rd//

XS
SM
MD
LG