Kryeministri serb Vojisllav Koshtunica tha se qeveria e tij do të bëjë çdo përpjekje për të mos lejuar shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës.
Zoti Koshtunica në një intervistë për gazetën serbe Veçernje Novosti tha se njohja e shpalljes së njëanshme të pavarësisë do ishte një shkelje e rëndë e së drejtës ndërkombëtare.
Udhëheqësi serb akuzoi NATO-n si nismëtare për idenë e pavarësisë së Kosovës. Ai tha se NATO-ja ngul këmbë në planin e ndërmjetësit të OKB-së Marti Ahtisari sepse ky plan do t’i jepte kësaj aleance pushtet të pakufizuar në Kosovë.
Zoti Koshtunica tha gjithashtu se bisedimet e drejtpërdrejta ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës janë rruga më e mirë për arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për të ardhmen e Kosovës.
Ekipet negociatore të Serbisë dhe Kosovës do të takohen javën e ardhëshme në Nju Jork. //kk//