Një zyrtar irakian thotë se tani për tani qeveria nuk do të ndërmarrë hapa për të dëbuar firmën amerikane të sigurisë që është nën hetime pasi ka lidhje me vrasjet e para pak ditëve në Bagdad.
Zyrtari i qeverisë Tahsin Sheikli tha sot se dëbimi i kompanisë Blackwater USA do të krijonte një boshllëk sigurie në Irak. Ai thotë se kjo do të kërkonte transferimin e trupave luftarake në detyra që kryhen nga firmat private të sigurisë.
Sheikli tha se Blackwater luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e diplomatëve dhe kompanive të huaja në Irak.
Zyrtarët irakianë i akuzojnë rojet e firmës Blackwater se më 16 shtator kanë hapur zjarr dhe kanë vrarë 11 civilë irakianë në një rrugë të Bagdadit. Blackwater thotë se rojet e saj kanë reaguar në mënyrë të ligjshme ndaj një sulmi kundër një kolone diplomatike amerikane të cilën po e shoqëronin.
Pas vrasjeve, zyrtarët irakianë e pezulluan liçencën e firmës Blackwater në Irak për disa ditë. Megjithatë, firma rifilloi operacionet pardje, në ruajtje të një numri të kufizuar kolonash qeveritare amerikane. //kk//