Lidhje

Policia arreston 9 persona për dhunën në parlamentin e Maqedonisë


Policia në Maqedoni arrestoi të paktën 9 vetë në lidhje me përleshjet e djeshme në parlament ndërmjet përkrahësve të dy partive politike të shqiptarëve.

Autoritetet thonë se përleshjet pasojnë mosmarrëveshje lidhur me reformat zgjedhore ndërmjet ligjvënësve të Bashkimit Demokratik për Integrim të opozitës dhe Partisë për Prosperitet Demokratik, anëtare e koalicionit qeveritar.

Përkrahësit e Bashkimit Demokratik për Integrim u përpoqën më pas të bllokonin rrugët përreth ndërtesës së Parlamentit në Shkup, gjë që rezultoi në arrestime. Disa prej personave të ndaluar mund të akuzohen për sulme ndaj policëve dhe për mbajtje të armëve pa leje. Kryeministri Nikolla Gruevski u takua sot me udhëheqësit e të gjitha partive parlamentare dhe theksoi se incidente të tilla nuk duhet të ndodhin më.

Në Bruksel, një zëdhënëse e Bashkimit Evropian dënoi dhunën, duke thënë se ajo minon përparimin e Maqedonisë drejt forcimit të lidhjeve me Bashkimin.

Ambasadorët e SHBA, BE, Natos dhe OSBE-së në Shkup u takuan me kryeministrin Nikolla Gruevski dhe me kryetarin e Parlamentit Lubisha Georgievski për të diskutuar ngjarjet e fundit në parlament dhe për të parë mundësitë e qetësimit të gjendjes së tendosur.

Ambasadorët kanë shprehur shqetësimet e tyre të mëdha për atë që ka ndodhur. Amabsadori i BE, i cili pas takimit bëri komente për mjetet e informimit tha se janë të papranueshme incidentet e djeshme, ndërkohë që la të kuptohej se kanë bërë thirrje për hetime sa më shpejtë që të jetë e mundur, në mënyrë që të rikthehet besimi dhe që Parlamenti të fundkionojë në mënyrën e duhur.

Ambasadori Erwan Fouere i BE tha se truprojat e partive politike nuk e kanë vendin në Parlament ndërsa gazetarët kanë të drejtë të jenë aty. Ambasadorët kanë shprehur keqardhje të thellë për dhunën e ushtruar ndaj pjesëtarëve të mjeteve të informimit, ndërkohë që kanë kërkuar nga OSBE që të bëjë hetime të plota lidhur me aktet e dhunës ndaj gazetarëve dhe ekipeve televizive.

Në kuadër të këtyre zhvillimeve shqetësuese, policë të njësisë speciale Alfa e kanë rrahur keq sot një kameraman të televizionit privat Alsat në afërsi të Tetovës i cili po i filmonte ata duke ndaluar deputetin Sadulla Duraku të BDI-së te fshati Zhelinë. Diplomatët perëndimorë shpresojnë se do të bëhet ç‘mos për rikthimin e besimit brenda Parlamentit dhe se puna do të vazhdojë mbi reformat e rëndësishme dhe të nevojshme e jetike për pranimin e Maqedonisë në BE.

Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim në një takim me Këshillin qendror në Tetovë kërkoi që Parlamenti të formojë një komision për hetimin e ngjarjeve të djeshme. Partia paralajmëron se do të pezullojë pjesëmarrjen e saj nga seancat plenare të Parlamentit deri sa ky institucion të raportojë mbi incidentet e fundit që ndodhën brenda dhe jashta tij. BDI ka paralajmëruar një protestë për ditën e premte në Shkup.

Këto incidente po i japin Maqedonisë një imazh të keq dhe njerëzit turpërohen nga ajo që kanë parë të ndodhte në Parlament dhe jashta tij. Përveç numrit të madh të policisë në qendër të qytetit dje dhe sot janë parë grupe njerëzish; civilë të armatosur me kallashnikovë. Megjithëse u kuptua që ishin pjesëtarë të njësisë policore “Alfa”, ata kanë futur frikë tek qytetarët dhe kalimtarët dje dhe sot në qendër të Shkupit.

Ndërkohë, Partia maqedonase Liberal Demokrate i ka bërë thirrje kryeministrit që ta shkarkojë nga posti zëvens-ministrin e brendëshëm Refet Elmazi i cili dje personalisht ushtroi dhunë ndaj deputetëve të BDI. Këtë akt e ka regjistruar të paktën një stacion televiziv në Shkup.//rd//

XS
SM
MD
LG