Lidhje

Reformat e Bashkimit Evropian për industrinë e verës


Prodhimi i verës shihet si pjesë e kulturës kombëtare në shumë vende të Evropës. E megjithatë vendet prodhuese të verës po luftojnë me Bashkimin Evropian mbi planet e tij për ta bërë verën evropiane më konkurente në treg. Bashkimi Evropian kërkon që një e teta e vreshtave të Evropës të eliminohen dhe po bën thirrje për t’i dhënë fund një fondi të posaçëm për kthimin e verës së tepërt në alkool industrial. Komisioni Evropian kërkon gjithashtu më shumë fonde për t’i bërë reklamë verës evropiane në vende të tjera.

Në kohën e vjeljes, vreshtat evropaine nuk duken si një industri në krizë. Por sasia e verës së prodhuar dhe që nuk shitet është rritur në mënyrë të vazhdueshme. Analistët e industrisë thonë se në se kjo prirje vazhdon, tepricat e verës do të arrijë 15 përqind të prodhimit vjetor deri në vitin 2010-2011.

Gjatë dekatës së fundit, zyrtarët e Bashkimit Evropian thonë se importet e verës nga të ashtuquajturat vendet e “Botës së Re” siç janë Kili, Shtetet e Bashkuara dhe Australia janë rritur me 10 përqind çdo vit. Traditat e konsumit së verës në Evropë po ndryshojnë dhe njerëzit kanë konsumuar më pak verë gjatë këtyre 10 vjetëve të fundit. Bashkimi Evropian kërkon një ndryshim radikal të këtij sektori dhe rishpërndarjen e subvencioneve që shkojnë tek vendet prodhuese kryesore të verës si Franca, Italia dhe Spanja. Midis këtyre masave janë nisma për të eliminuar të paktën 200 mijë hektarë vreshta, stimujve financiare për pensionet e parakohëshme dhe etiketa më të sakta, për të treguar vitin e prodhimit dhe llojit të rushit edhe në verërat e një cilësie më të ulët.

Komisioneri i BE-së për Bujqësinë Marian Fischer Boel. “Tregu po ndryshon. Është bërë më i larmishëm. Vera vjen në Evropë nga shumë vende të tjera dhe kjo nuk do të ndërpritet. Nga ana tjetër, në se nuk veprojmë, do të përballemi me më shumë probleme”. Por planet e komisionit kanë provokuar një betejë gati njëvjeçare në Bruksel.

Anëtari francez i Parlamentit Evropian, Jean-Claude Martinez akuzoi Komisionin Evropian këtë verë se nuk po tregon shifrat reale. "Ata kërkojnë që eliminimi i vreshtave të bëhet në mënyrë vullnetare, por kjo nuk mund të ndodhë. Kur të thuhet që nuk ke shpresa të tjera, alternativa mbetet prishja e vreshtave.” Në veçanti Franca ka ndërmarrë një fushatë agresive kundër paketës së reformave për verën, duke argumentuar se cilësia e verëra franceze po kërcënohet dhe reformat nuk mund të realizohen brenda natës.

Ministri francez i Bujqësisë Michel Bernier. "Pika kryesore është se ideja e liberalizimit do të çojë në humbjen e origjinës së verës evropiane". Megjithatë, edhe vetë kritikët më të zëshëm të komisionit e pranojnë nevojën e reformave, para se industria e verës në Evropë të zhytet më thellë në vështirësi.

Parlamenti Evropian pritet të votojë për paketën e re të reformës në dhjetor. Edhe Franca – prodhuesja më e madhe në botë e verës së cilësisë së lartë ka dhënë shënja se kompromisi është i mundshëm. //rd//

XS
SM
MD
LG