Lidhje

Në Izrael transformohen Kibutzet


Për afro një shekull në Izrael ka ekzistuar e ashtu-quajtura lëvizja Kibutz, e bazuar në punën në kooperativë dhe e përkushtuar ndaj idealeve socialiste. Por duket se mijëvjeçari i ri po sjell ndryshime edhe në një prej qendrave më të hershme Kibutz – në kooperativën Degania, e cila u themelua në vitin 1910 në brigjet e Detit Galilee:

Kooperativa e bulmetit Degania është më e madhja dhe më e vjetra në Izrael. Që në vitin 1910 anëtarët e kësaj kooperative të tipit Kibutz, kolonë zionistë nga Rusia, krijuan fermën me besimin se po krijonin një utopi socialiste.

Por punëtorët e sotëm të Kibutzit, ndryshe nga të hershmit, paguhen me rrogë si në çdo biznes tjetër. Degania nuk është më një kooperativë socialiste, por një biznes i madh. Kibutzi ka një biznes të suksesshëm diamantësh dhe shet produkte bujqësore me vlerë prej miliona dollarësh.

Kohët e fundit, 320 anëtarë të Kibutzit u mblodhën dhe votuan për të mos derdhur më rrogat në një llogari të përbashkët, por për t’u paguar në bazë të aftësisë me të drejtën për t’i shpenzuar paratë e fituara si të dëshironin. Ky hap bëri bujë në Izrael; Degania – Kibutzi më i vjetër socialist në Izrael ishte tashmë një ndërmarrje kapitaliste.

Shay Shoshani ka jetuar në Degania për afro 30 vjet dhe drejton këtë operacion disa miliona dollarësh. Kjo reformë, thotë Shoshani, ishte e nevojshme:

"Mund t’ju them se shumë njerëz na thonë se tani pas reformës ndjehen më të përkushtuar dhe më tepër pjesë e Kibutzit se më parë. Në botë gjërat ndryshojnë dhe ne vendosëm të mos mbetemi peng i së kaluarës".

Anëtarët e Deganias tani paguajnë për shërbime komunale si elektriku dhe uji, dhe paguajnë edhe një taksë të re për të mbështetur të moshuarit dhe të pamundurit. Këto ndryshime do të kishin tronditur themeluesit e Deganias, një grup socialistësh, anarkistësh dhe komunistësh, të cilët besonin në ideologjinë e pronës kolektive.

Pjesa më e madhe e anëtarëve i mbështesin ndryshimet. Të tjerët, si kjo grua, nuk duan të japin komente për gazetarët. Disa anëtarë janë si Yona Shapiro, prindërit e së cilës ishin ndër themeluesit e Kibutzit, e cila thotë se fillimisht i shihte me dyshim ndryshimet, por tani është mësuar:

"Është ndryshe. Jo si më parë. Por mund të them se për mua nuk ka ndryshuar aq shumë, pasi unë bëj të njëjtën jetë. Dal në punë që të jem në kontakt me të rinjtë. Nuk kam nevojë për para, por punoj sepse dua të kem kontakte me njerëzit dhe nuk shoh ndonjë ndryshim".

Allen Shapiro, i shoqi i Yonnës, erdhi në Degania nga Shtetet e Bashkuara në vitin 1955. Ai thotë se fillimisht nguronte, por tani i konsideron ndryshimet si pozitive:

"Kishte shumë anëtarë që nuk punonin sa duhet, ndoshta pasi përfitonin në kurriz të tjerëve, në bazë të rregullit të Kibutzit që secili punon sipas nevojave dhe mundësive. Tani njerëzit fitojnë më shumë nëse punojnë më shumë dhe kemi vërejtur shumë njerëz që kanë shtuar punën gjë që ka ndikuar në situatën ekonomike të Kibutzit".

Degania zë një vend të veçantë në historinë e Izraelit. Në të gjendet një tank sirian i kapur nga anëtarët e Kibutzit në Luftën e Izraelit për pavarësi në vitin 1948. Gjenerali legjendar izraelit Moshe Dayan lindi dhe u rrit në Degania.

Tani Degania ka hapur një kapitull të ri në historinë e Izraelit duke gjetur një mision të ri për veten në shekullin e 21-të. //iç//

XS
SM
MD
LG