Lidhje

Gazprom shpreh interes për blerjen e kompanisë shtetërore serbe të naftës


Monopoli rus i kontrolluar nga shteti, firma Gazprom, ka shprehur interes për blerjen e kompanisë shtetërore serbe të naftës, në kuadër të një marrëveshjeje që mund të përfshijë edhe ndërtimin e një gazsjellësi që kalon përmes Serbisë.

Një zyrtar i lartë i Gazpromit, Aleksei Miller u tha sot gazetarëve në Beograd se firma e tij po shqyrton mundësinë e investimit në një projekt të madh energjitik në Serbi. Projekti, tha ai, mund të përfshijë edhe privatizimin e firmës shtetërore serbe të naftës NIS.

Zyrtarë të Gazpromit u takuan të martën me Presidentin e Serbisë Boris Tadiiç dhe Kryeministrin Vojisllav Koshtunica për të diskutuar rreth bashkëpunimit në sektorin energjitik.

Udhëheqësit serbë thanë se ndërtimi i një dege të gazit natyror rus përmes Serbisë do të ndihmonte ekonominë e vendit dhe do të siguronte furnizimet me energji.

Serbia kishte njoftuar më parë plane për të shitur pjesë të firmës naftës në kuadër të reformave ekonomike, por ende nuk dihet në se do të jetë dakort të shesë shumicën e aksioneve të monopolit të saj shtetëror të naftës.

Shtypi vendas njofton se zyrtarët serbe u përpoqën të bindnin Gazpromin që gazsjellësi të kalojë përmes Serbisë, në vend të Rumanisë. Kjo do t’i krijonte mundësi Serbisë që të përdorte të ardhurat nga tranziti i gazit për të paguar një pjesë të importeve të naftës. (ze)

XS
SM
MD
LG