Një ndihmës i Kryeministrit të Serbisë, Vojislav Kostunica ka akuzuar qeverinë e Shteteve të Bashkuara për pengimin e negociatave midis serbëve dhe shqiptarëve, për statusin e ardhshëm të Kosovës.
Srdxhan Gjuriç, këshilltari i Kryeministrit serb për shtypin, kritikoi dje Zëvendës Zëdhënësin e Departamentit amerikan të Shteti, Tom Kejsi, rreth asaj që zoti Gjururiç e quajti mbështetje “për separatistët shqiptarë” në përpjekjen e tyre për të shpalluar pavarësinë në fund të këtij viti. Ai i quajti deklarata të tilla kërcënime të hapura nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.
Zoti Kejsi ripërsëriti të premten pozicionin e Shteteve të Bashkuara, se në qoftë se raundi i tanishëm i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit përfundon pa ndonjë marrëveshje, Kosovës duhet t’i jepet pavarësia, me mbikqyrje ndërkombëtare.
Delegacionet serbe dhe shqiptare do të takohen sot në Bruksel për bisedime direkte për statusin e Kosovës. Beogradi ofron një autonomi të gjerë për Kosovën. Por udhëheqësit shqiptarë të Kosovës këmbëngulin për pavarësi të plotë nga Serbia.
Të martën, ambasadori amerikan në OKB, Zalmai Kalizad, u bëri thirrje negociatorëve të të dyja palëve, të marrin një vendim brenda afatit të 10 dhjetorit.
Ambasadori rus Aleksander Aleksejev, tha dje në Beograd, se Rusia nuk e konsideron 10 dhjetorin si afatin e përfundimit të negociatave dhe se vendimi për statusin e Kosovës nuk duhet nxituar.//lk