Udhëheqësi shpirtëror i Tibetit, Dalai Lama, ka marrë medaljen më të lartë civile nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara, megjithë kundërshtimet e fuqishme nga Pekini.
Murgu 72-vjeçar budist i Tibetit mori Medaljen e Artë të Kongresit në një ceremoni që u zhvillua sot në Kapitol. Para dhënies së medaljes, Presidenti Bush, udhëheqës të Kongresit dhe laureati i Çmimit Nobel, Elie Wiesel vlerësuan kontributën për paqen dhe të drejtat e njeriut që ka dhënë Dalai Lama.
Kina e cilësoi ceremoninë si farsë dhe në shenjë proteste u largua nga bisedimet ndërkombëtare të kësaj jave të sponsorizuara nga Shtetet e Bashkuara për programin bërthamor të Iranit.
Presidenti Bush tha në fjalën e tij të rastit se Dalai Lama është njeri i paqes dhe pajtimit. Ai u bëri thirrje udhëheqësve kinezë ta mirëpresin udhëheqësin e Tibatit në Pekin.
Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Tom Lantosh, i cili është Kryetar i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, i bëri thirrje qeverisë kineze ta ftojë Dalai Lamën në Pekin me rastin e hapjes së Lojrave Olimpike Verore të 2008. //iç//