Lidhje

Globalizimi dhe shqetësimi për sigurinë e ushqimeve


Ndërsa popullsia e botës rritet, nevoja për ushqime të sigurta nga fermat tek konsumatori është bërë një shqetësim i madh kudo, veçanërisht në sektorin e blegtorisë. Ekspertët thonë se globalizimi ka shtuar mundësinë e përhapjes së sëmundjeve.

Popullsia e botës po shtohet me një rritëm të madh, 78 milion njerëz çdo vit. Përllogaritjet e Kombeve të Bashkuara tregojnë se deri në vitin 2030 popullsia e botës do të arrijë në mbi 8 miliardë banorë, duke vështirësuar aftësitë e kësaj popullsie për t’u ushqyer. Bernard Vallat është drejtor i Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve. “Ne e dimë se gjatë 10 vjeçarit të ardhshëm, 1 miliardë konsumatorë të mishit do të shtohen në Kinë, Indi dhe në vende të tjera në zhvillim”.

“Gjatë 20 vjetëve të ardhshëm, kërkesa për prodhime blegtorale do të dyfishohet dhe burimi do të pasojë kërkesën, ndërkohë që, si pasojë e kufizimeve të ndryshme, furnizmi me produkte blegtorale do të vijë nga vendet në zhvillim”. Frencës Lë Gall i Bankës Botërore është dakord me vlerësimin e zotit Vallat se vetëm 40 nga 200 vende të botës kanë aftësitë për t’iu përgjigjur një krize shëndetsore, që e ka origjinën tek sëmundjet e kafshëve.

Veçanërisht dy sëmundje, ajo e lopës së çmëndur dhe gripi i shpendëve, kanë pasur ndikime shkatërrimtare në 20 vjetët e fundit. Sëmundja e lopës së çmëndur u shfaq për herë të parë në Britani nga mesi i viteve 80-të e që prej atëhere është shfaqur edhe në vende të tjera evropiane, të Amerikës Veriore dhe të Azisë. Ajo ka bërë që të eliminohen tufa të mëdha kafshësh, ka shkaktuar humbje të mëdha ekonomike si dhe vdekjen e rreth 150 njerzve.

Gripi i shpendëve, i njohur edhe si virusi H5N1, u shfaq së pari në vitin 2003 dhe është pasuar me eliminimin e rreth 100 milion shpendëve në Azi, veçanërisht në Vietnam. Humbjet njerzore dhe ekonomike kanë qënë shkatërrimtare. “Kjo nuk është diçka e re. Transferimi i sëmundjeve nga kafshët tek njerëzit ka ndodhur që prej fillimit të njerëzimit. Por arsyet e prirjeve të reja tani janë globalizimi, ndryshimi klimatik, lëvizja e popullsisë, globalizimi i prodhimeve blegtorale, e të tjera. Çdo vit, shfaqet një sëmundje e re dhe 75 përqind e këtyre sëmundjeve e kanë origjinën tek kafshët”. Zoti Lë Gall thotë se globalizimi ka shtuar mundësinë e përhapjes së sëmundjeve.

Për t’i mbajtur kafshët të shëndetshme, prodhuesit përdorin rregullisht antibiotikët. Bernard Vallat, i Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve, thotë se përdorimi i antibiotikëve mund të ketë rreziqe, nëse nuk kontrollohen me kujdes nga veterinerët. Megjithatë ai thotë se mijëra tonelata antibiotikë përdoren çdo vit në gjithë botën.

Ndërsa nuk ekzistojnë statistika rreth humbjeve ekonomike, shoqërore e të mjedisit si pasojë e sëmundjeve të kafshëve të rritura për konsumim nga njerëzit, ekspertët thonë se përdorimi i antibiotikëve pa kriter është diçka e rrezikshme, sepse bakteriet mund të fitojnë rezistencë dhe pastaj të përhapen tek njerëzit. //rd//

XS
SM
MD
LG