Lidhje

Beja: Kërkesat për imunitetet e Bashës dhe Sollakut do të trajtohen në përputhje me ligjin


Parlamenti shqiptar sapo ka marrë dy kërkesa; njëra për heqjen e imunitetit të ministrit Lulëzim Basha pas dyshimeve për shkelje në tendera, dhe tjetra - nga nje grup deputetësh për të hetuar veprimtarinë e prokurorisë, pas dyshimeve për abuzime të Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku. Nënkryetari i Parlamentit, Fatos Beja, thotë se të dy kerkesat do të trajtohen në përputhje me ligjin dhe rregulloret, ndaj askush nuk ka arsye që të spekullojë në dëm të parlamentit. Zoti Beja thotë se Prokurori i Përgjithshëm nuk gëzon besimin e institucioneve më të larta të Shqipërisë, çdokush në këto kushte do të jepte dorëheqjen.

Zëri i Amerikës: Zoti Beja, sot në komisionin parlamentar të ligjeve që drejtoni ju pritej të vinte Prokurori i Përgjithshëm për të shprehur qëndrimet e veta rreth kërkesës së një grupi deputetësh që kanë kërkuar hetim tjetër parlamentar për punën e prokurorisë. Ç’mund të na thoni për këtë kërkesë të deputetëve dhe si do shkojë kjo procedurë?

Fatos Beja: Kërkesa është normale dhe e bazuar në kushtetutë për krijimin e komisioneve hetimore, është kërkesë që është bazuar në rregullore, neni 114 i rregullores flet pikërisht për procedurën se si bëhet shkarkimi i personave të zgjedhur në funksione kushtetuese. Kështu që është një kërkesë e cila vjen në kuvend, i nështrohet procedurave të përcaktuara saktë në rregullore.

Zëri i Amerikës: Zoti Beja, deputetët e opozitës janë shprehur se çështja Sollaku mund të quhet e mbyllur me punën e një komisioni të mëparshëm dhe vendimin e ish presidentit Moisiu për të mos e hequr atë nga detyra. Ka një përpjekje të dukshme për t’i dhënë një karakter politik kësaj çështje, pavarësisht se ajo nuk e ka një karakter të tillë. Për fat të keq, asnjë nga ne nuk jemi të kënaqur. Gjendja e korrupsionit dhe kriminaliteti në Shqipëri ka qenë e lartë gjatë gjithë këtyre viteve. Ёshtë një dukuri të cilën, pavarësisht nëse na pëlqen apo jo, e kanë vënë në dukje edhe shqiptarët edhe të huajt. Dhe në një gjendje të tillë, me nivel të lartë korrupsioni dhe kriminaliteti. Është shumë vështirë të themi se prokurori i përgjithshëm është i ndritur dhe nuk ka përgjegjësi në këtë situatë. Ky është thelbi i problemit. Dhe normalisht, jemi në një situatë ku kuvendi, nëpërmjet një komisioni, është shprehur se nuk ka më besim tek ky prokuror për t’i luftuat të gjitha këto dukuri negative nga të cilat vuan i gjithë vendi dhe vuajnë të gjithë shqiptarët. S’ka pak kohë që presidenti është shprehur publikisht se nuk ka më besim. Të jeni të bindur se në çdo vend demokratik, çdo funksionar i lartë, i cili, nga ata që e kanë zgjedhur, kuvendi dhe presidenti në rastin konkret, shprehen se nuk kanë më besim tek ai, normalisht ai do të jepte dorëheqjen dhe do të thoshte, “Faleminderit për besimin që keni pasur, unë do të largohem nga detyra.” Kjo është sjellja normale e një funksionari që është i ndershëm në pozicionin tij. Një njeri i cili thotë më dëboni, se vetëm ashtu dua sigurisht që nuk qetëson dyshimet, funksionimin institucional, por bën të kundërtën.

Zëri i Amerikës: Zoti Beja, ndërkohë që një grup deputetësh kërkojnë të hetojnë dhe të largojnë nga detyra prokurorin e përgjithshëm, nga prokuroria vjen një kërkesë për heqjen e imunitetit të ministrit të jashtëm, ish ministrit të transporteve Lulzim Basha.

Fatos Beja: Qoftë për ministrin Basha, qoftë për çdo deputet të kuvendit, duke më përfshirë edhe mua, qoftë edhe për personat e tjerë me imunitet duhet të jetë e qartë se imuniteti nuk i jepet një personi për ta mbrojtur atë nga shkelja e ligjit, nga hajdutllëku, nga veprime të cilat janë në kundërshtim me interesin publik, dhe ne jemi në këtë situatë. Kjo është një procedurë fare normale. Kërkesa vjen dhe regjistrohet, i çohet kryetarit të kuvendit dhe ky i fundit i dërgon tek këshilli i rregullores dhe imuniteteve, që është një këshill i veçantë. Ky këshill mblidhet një ditë, diskuton për të dhe ia çon pastaj mendimin dhe raportin e vet seancës dhe seanca vendos. Kjo është procedura dhe kjo procedurë do të zbatohet. Nuk ka asnjë gjë që nuk do të zbatohet. //rd//

XS
SM
MD
LG