Lidhje

Majër: 10 dhjetori nuk do të shënojë fundin e negociatave Prishtinë-Beograd


Profesori Stivën Majër i Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes thotë se zgjidhja më e mirë për statusin e Kosovës do të ishte që Prishtina dhe Beogradi të hiqnin dotë nga qëndrimet e tyre të patundura dhe të ulen e të negociojnë në mënyrë të hapur e të ndershme. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, profesor Majër shprehet se 10 dhjetori nuk do të shënojë fundin e negociatave Prishtinë-Beograd. Me zotin Majër bisedoi kolegja Zamira Edwards.

Zëri i Amerikës: Zoti Majër, gjatë ditëve të fundit përsëri u bënë komente nga zyrtarë të lartë lidhur me zgjidhjen e statusit të Kosovës, ndërkohë që të dy palët, Prishtina dhe Beogradi, vazhdojnë të kenë qëndrime diametrikisht të kundërta. A shikoni ju ndonjë zgjidhje kompromisi, para përfundimit të peridhës shtesë prej 120 ditësh?

Stivën Majër: Mendoj se ka vend për negociata, sepse duket qartë se shqiptarët e Kosovës dhe asnjë udhëheqje shqiptare nuk do të pranonin autonominë, sado e hapur dhe e lirë të jetë ajo. Serbët, ndërkohë përballen me një rrugë pa krye dhe ata janë shprehur qartë se nuk do të lëvizin nga qëndrimi i tyre dhe nuk do të pranojnë pavarësinë e Kosovës. Mendoj se e vetmja zgjidhje për këtë gjendje, në mënyrë që të shmanget gjakderdhja, është që si Prishtina dhe Beogradi të heqin dorë nga retorika, të bien dakord të negociojnë, ndoshta nën mbikqyrjen ndërkombëtare, për mendimin tim Bashkimi Evropian, do të ishte ndërmjetësi më i mirë, edhe nëse do të nevoitej një diplomaci ecejakesh. Mendoj se palët duhet të eksplorojnë mënyrat se në cilat pika Prishtina dhe Beogradi mund të ndryshojnë qëndrim. Ashtu siç kam thënë edhe më parë, koncepti i ndarjes nuk duhet të përjashtohet. Mendoj se paprekshmëria e kufijve është zmadhuar së tepërmi. Në se shfrytëzohen modele, si për shembull shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe dalja e dy shteteve nga Çekosllovakia, dhe nëse fuqitë perëndimore bien dakord se nuk ka asgjë të shenjtë rreth kufijve, mendoj se është e mundur që të arrihet një zgjidhje nëpërmjet bisedimeve, ku asnjera palë nuk do të sigurojë çdo gjë që kërkon. Në këtë kontekst, duhet lejuar që në tryezën e negociatave të përfshihet edhe Lugina e Preshevës si dhe Republika Serbe e Bosnjes. Ajo që duhet bërë është të shqyrtohen dinamikat e rajonit dhe dëshirat e popullatës, që është edhe mënyra demokratike.

Zëri i Amerikës: Ndarja e Kosovës, është një zgjidhje, që kundërshtohet si nga Prishtina ashtu edhe nga Beogradi, ndërkohë që shqiptarët e Kosovës kërkojnë pavarësinë. Gjithashtu ndarja e Kosovës është përjashtuar nga fuqitë perëndimore si një zgjidhje e mundëshme për Kosovën. A nuk do të përbënte kjo një zgjatje të tepëruar të procesit?

Stivën Majër: E ardhmja e Kosovës duhet të diskutohet në mënyrë të ndershme nga Prishtina dhe Beogradi, që zgjidhja të vijë prej tyre dhe të mos u imponohet. Ishte katastrofë e Planit Ahtisari dhe budallallëk i qëndrimit amerikan që vendosën arbitrarisht se cilat çështje do të diskutoheshin dhe cilat jo. Ndarja nuk do të jetë një zgjidhje e përsosur dhe territoret, sido që të ndryshohen kufijtë, nuk do të ishin me popullsi serbe ose shqiptare. Ajo që duhet bërë është nënshkrimi i një traktati nga fuqitë e mëdha me Kosovën dhe Serbinë, i cili do të garantonte trajtimin e drejtë, të ndershëm dhe të hapur të serbëve në territoret shqiptare dhe të shqiptarëve në territoret serbe, që nuk duan të lëvizin nga shtëpitë e tyre. Në bazë të këtij traktati, këto zona do të inspektohen nga komuniteti ndërkombëtar për vite me radhë, për t’u siguruar se nuk ka spastrim etnik dhe ato kanë fondet e nevojshme për të funksionuar si duhet.

Zëri i Amerikës: Ju thoni që çështja e Kosovës të merret përsipër nga Bashkimi Evropian. A sugjeroni ju që Shtetet e Bashkuara të mos angazhohen më në bisedimet për përcaktimin e statusit të Kosovës?

Stivën Majër: Jo plotësisht. Por është bërë mëse e dukshme gjatë muajve të fundit se Shtetet e Bashkuara janë një aktor më pak i rëndësishëm dhe për këtë ekzistojnë disa arsye. Së pari administrata amerikane është e preokupuar gjetkë në botë; së dytë, ajo nuk do të meret më me Ballkanin, që prej 6 vjetësh, megjithëse ka mbetur aty dhe nuk po del dot. Një arsye tjetër që Shtetet e Bashkuara janë tani më pak të rëndësishme, është se Bashkimi Evropian po mban një qëndrim ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, megjithëse edhe brënda BE-së ekzistojnë qëndrime të ndryshme lidhur me çështjen e Kosovës. Në periudhën pas Planit Ahtisari, Bashkimi Evropian ka qënë shumë më i prirur të kërkojë negociata. Është mëse i qartë ndryshimi që ekziston në qëndrimet amerikane dhe evropiane, madje pozita evropiane po mbizotëron tani gjendjen në Kosovë. Dhe së treti janë mosmarrëveshjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, të cilat nuk duan t’ia dinë rreth Kosovës, që në fakt është bërë më shumë një simbol në marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve. Pikërisht në një skenar të tillë, ekziston një mundësi reale për Prishtinën dhe Beogradin që të negociojnë dhe të heqin dorë nga qëndrimet e tyre të patundura.

Zëri i Amerikës: A e shikoni ju të mundur, që menjëherë pas 10 dhjetorit Shtetet e Bashkuara të njohin në mënyrë të njënashme pavarësinë e Kosovës?

Stivën Majër: Shpresoj që Shtetet e Bashkuara të mos e njohin pavarësinë e Kosovës, jo sepse unë nuk dua të shikoj një Kosovë të pavarur, por nuk dua të shikoj një zgjidhje të detyruar, që do të pasohej me reagime, ndoshta të dhunshme, me viktima për të dyja palët. Dhe mundësia e dhunës është reale nëse Shtetet e Bashkuara ngulin këmbë në afatin e 10 dhjetorit. Të njëjtat pasoja do të kishte edhe shpallja e njëanshme e pavarësisë nga vetë udhëheqësit e Kosovës. Sidoqoftë, nuk mendoj se procesi do të marrë fund, me njohjen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës dhe kjo pjesërisht sepse Bashkimi Evropian është në pozitë tjetër. Gjithashtu një hap i tillë nga Uashingtoni do të krijonte përçarje midis Shteteve të Bashkuara dhe BE-së. Shpresoj që Shtetet e Bashkuara, ndërsa vazhdojnë të mbështesin pavarësinë e Kosovës, bien dakord për vazhdimin e negociatave dhe për një rol edhe më aktiv të Bashkimit Evropian. Kjo do të ishte një mënyrë e hijshme për Uashingtonin që të ndryshojë disi qëndrimin. Nuk mendoj se njohja nga Shtetet e Bashkuara e pavarësisë së Kosovës, le të themi më 11 dhjetor, do të zgjidhte problemin. Kjo do të bëhej nga dy palët kryesore, Prishtina dhe Beogradi, duke hequr dorë nga qëndrimet e tyre dhe duke negociuar. (ze)

XS
SM
MD
LG