Lidhje

NATO i bën thirrje Shqipërisë të vazhdojë reformat


NATO-ja e paralajmëroi Shqipërinë se ajo ka nevojë të çojë përpara reformat politike dhe juridike, që të mund të marrë ftesën e anëtarësimit në Aleancë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hup Skefer i tha sot në Bruksel presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, se është tepër herët për të thënë, nëse vendi i tij do të marrë ftesën e anëtarësimit vitin tjetër. Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia shpresojnë të marrin ftesë zyrtare gjatë takimit të nivelit të lartë të NATO-s që mbahet në prill 2008 në Bukuresht.

De Hup Skefer tha se i kishte deklaruar presidentit Topi, se vendi i tij duhet të verë në zbatim reformat në sistemin zgjedhor, juridik dhe të mbrojtjes. Ai tha ftesa për t’u anëtarësuar në NATO nuk është automatike. Nga ana e tij, zoti Topi premtoi intensifikimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai tha se mbetet optimist, se Shqipëria do ta marrë ftesën për në NATO.

I pyetur nga gazetarët, nëse Shqipëria do të pranohet në NATO në takimin e nivelit të lartë të Bukureshtit në prill 2008, zoti Skefer tha se ftesat për në NATO nuk vijnë automatikisht, por bazohen në ecurinë e reformave.

"Është tepër herët të thuhet se çfarë do të ndodhë në Bukuresht. Aleatët nuk i përgjigjen dot ë kësaj pyetjeje, as unë nuk i përgjigjem dot kësaj pyetjeje. Mund të them vetëm se vazhdimi i reformave dhe investimi në reforma, janë me rëndësi në këtë aspekt",- tha Skefer.

Mes këtyre reformave, ai përmendi në mënyrë të veçantë reformën e sistemit zgjedhor dhe të drejtësisë.

"Zbatimi i këtyre reformave,- tha zoti Skefer,- do të ndiqet me kujdes nga aleatët. Ftesat për pranimin në NATO, - shtoi ai, - ende nuk janë bërë gati, por Aleanca do ta ndihmojë Shqipërinë për t’i realizuar këto reforma."

"Diskutuam për rëndësinë që aleatët i vënë në këtë aspekt krijimit të një kulture të shëndoshë politike, ku qeveria dhe opozita natyrisht mund të kenë mendime të ndryshme, ashtu si në çdo demokraci, por në një klimë të shëndetëshme politike", - tha Skefer.

Presidenti Topi, nga ana e tij, tha se vizita bëhej në një moment të rëndësishëm për vendin e tij.

“Kam ardhur këtu në një moment shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar, në momentet kur Shqipëria është gjithnjë e më afër institucioneve euroatlantike.”

Ai premtoi se Shqipëria do t’i realizojë reformat që i kërkohen. Zoti Skefer përgëzoi presidentin Topi për pjesmarrjen me trupa në forcën ndërkombëtare në Afganistan. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës vlerësoi gjithashtu Shqipërinë për rolin moderues që luan në procesin e vështirë për zgjidhjen e statusit të Kosovës. //lk

XS
SM
MD
LG