Lidhje

SHBA: Republikanët kërkojnë mbështetjen e konservatorëve socialë


Kandidatët republikanë për president bënë dje thirrje në Washington për mbështetjen e konservatorëve socialë, një grup i rëndësishëm i elektoratit republikan.

Konservatorët socialë, një grup që beson në vlerat konservatore morale, përbëjnë një të tretën e votuesve që marrin pjesë në forumet emëruese republikane dhe në zgjedhjet paraprake që fillojnë në janar.

Duke pasur parasysh pozitën e tyre, kandidatët republikanë për president kërkuar mbështetjen e tyre para një takimi të organizuar nga Këshilli për Studimet mbi Familjen, një grup konservator me qendër në Washington.

Mes tyre ishte Senatori John McCain i Arizonës. Zoti McCain ka pasur kontradikta me konservatorët socialë në të kaluarën, por tani po e vë theksin tek pikat e përbashkëta, përfshirë kundërshtimin e tij ndaj abortit.

“Gjatë gjithë karrierës sime në shërbimin publik unë kam qenë kundër abortit. Besoj se jam i vetmi kandidat kryesor nga të dyja partitë që kam këtë qëndrim”.

Edhe ish-Senatori Fred Thompson i Tenesisë bëri apel për mbështetje, megjithëse e pranoi se kishte pasur mosmarrëveshje me aktivistët konservatorë në të kaluarën.

“Ne nuk kemi qenë gjithmonë në një emërues të përbashkët, por objektivi ynë ka qenë gjithmonë i njëjti: Që ta lëmë vendin më mirë nga sa e gjetëm, ashtu siç kanë bërë paraardhësit tanë për breza me radhë”.

Ish-Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Rudy Giuliani, ish-guvernatori i Masaçusetsit Mitt Romney dhe ish-guvernatori i Arkansasë Mike Huckabee do të flasin në takim.

Sipas anketave të opinionit publik, zoti Giuliani është më i preferuari mes votuesve republikanë, megjithëse mbështet të drejtën për abort.

Disa konservatorë kanë paralajmëruar se do të mbështesin një kandidat të një partie të tretë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm nëse ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut bëhet kandidati republikan. Deri tani kundërshtarët e zotit Giuliani nuk kanë arritur të sigurojnë mbështetjen e konservatorëve, duke i zhgënjyer shumë republikanë.

Stephen Wayne është profesor i shkencave politike në Universitetin Georgetown në Washington.

“Dhe ata janë shumë të pakënaqur që asnjë nga katër kandidatët kryesorë republikanë nuk po arrin që të bëjë për vete bazën”.

Senatori Sam Brownback i Kansasit kishte shpresuar që popullariteti i tij mes konservatorëve socialë do t’i siguronte emërimin e Partisë Republikane për President. Por zoti Brownback u tërhoq nga gara për Shtëpinë e Bardhë pas disa muajsh me rezultate zhgënjyese si në anketa ashtu edhe në mbledhjen e fondeve. //kk//

XS
SM
MD
LG