Sot është Dita Botërore e Poliomelitit. Që nga viti 1988, qeveritë kombëtare, organizatat e shëndetit publik dhe ato civile e kanë ulur numrin e rasteve të poliomelitit me më shumë se 99 përqind. Por tani programi për çrrënjosjen e kësaj sëmundjeje përballet me mungesa fondesh dhe të gjitha fitoret e mëparshme mund të shkojnë kot.
Rreth 20 vjet më parë, kur vendet e botës vendosën të luftonin poliomelitin, ky virus paralizonte një mijë fëmijë çdo ditë. Ai prekte njerëzit nga 125 vende në të pesë kontinentet.
Sëmundja është zhdukur edhe në zona të tilla lufte si Iraku. Që nga viti 1988, Organizata Botërore e Shëndetsisë thotë se më shumë se 2 miliard fëmijë janë vaksinuar, falë përpjekjeve të miliona vullnetarëve, disa prej të cilëve kanë rrezikuar jetën. Iraku nuk ka vuajtur nga poliomeliti që prej shtatë vjetësh.
Fushatat e vaksinimit mbështeten nga qeveritë kombëtare, Organizata Botërore e Shëndetit, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe një organizatë humanitare – Rotary International.
Vendet kanë organizuar Ditë Kombëtare të Vaksinimit dhe fraksione luftarake kanë respektuar “ditët e paqes,” duke u bërë të mundur fëmijëve të bëjnë vaksinën e poliomelitit. Ideja është që të ndihmohen fëmijët, që nuk e kanë marrë vaksinën dhe për t’i forcuar imunitetin atyre që e kanë bërë vaksinën.
Poliomeliti tani ekziston kryesisht në katër vende: Pakistan, Indi, Aganistan dhe Nigeri. Megjithatë, një rast i ri i shfaqur në Sudan ka bërë që zyrtarët e shëndetësisë të zhvillojnë një fushatë mbarëkombëtare vaksinimi për të mos lejuar përhapjen e sëmundjes. Vendi me numrin më të madh të rasteve të poliomelitit është Nigeria me 56 përqind të rasteve të të gjithë botës.
Amina Mohamed-Baloni është koordinatorja e Unicef-it në Nigeri. “Kjo fushatë është tepër e rëndësishme, sepse sukseset e arritura deri në fund të vitit në vaksinimin kundër poliomelitit duhet të ruhen në mënyrë që të mos ketë transmetim të rasteve të kësaj sëmundjeje.”
Doktor Jon Andrus ka punuar në fushatat kundër poliomelitit në Amerikën qendrore dhe jugore si dhe në Indi me Organizatën Botërore të Shëndetsisë. Ai thotë se kur Nigeria e ndërpreu fushatën e vaksinimit para pak vitesh, virusi pësoi ndryshime. “Kur nuk luftohet, virusi mund të ndryshojë dhe të ripërtërihet.”
Doktor Andrus thotë se e vetmja zgjidhje është të vazhdohen vaksinimet dhe të mbahet numri i të vaksinuarve sa më lart që të jetë e mundur. Por fushata po përballet me probleme. Doktor Andrus thotë se gjendja në Afganistan e Pakistan e bën të vështirë që vaksinat të arrijnë tek fëmijët. Pastaj, ka edhe mungesa fondesh.
“Programi global tani ka 60 milion dollarë defiçit, mungesë burimesh për veprimtaritë që do të zhvillohen deri në fund të këtij viti. Kjo është barrë e madhe. Prandaj shpresoj që vendet dhe agjencitë donatore me mbështetjen e organizatës Rotary International, që ka dhënë gjatë viteve, do të mund të tërheqin burime të reja në mënyrë që programi të vazhdojë dhe të mos hasë probleme të vazhdueshme me fonde të pamjaftueshme.”
Poliomeliti përhapet më lehtë në vendet me popullsi të dendur dhe në kushte sanitare të pamjaftueshme. Megjithëse këto kushte mund të mos përmirësohen në nivelet e duhura, nëse fushata e poliomelitit është e suksesshme, zyrtarët e shëndetësisë mund të përqëndrohen në zhdukjen e sëmundjeve të tjera. //bsa//