Lidhje

Rebelët në Darfur njoftojnë për sulme të reja nga forcat qeveritare


Kryengritësit në Darfur thonë se qeveria e Sudanit ka kryer sulme të reja në këtë rajon të trazuar, ditën e shtunën, të njejtën ditë që shpalli armëpushimin gjatë bisedimeve të paqes në Libi.

Dy grupe kryengritësish thonë se trupat qeveritare dhe forca të tjera të armatosura, u përleshën me kryengritësit në një rajon në kufi me Çadin.

Pretendimi për luftime të reja vjen nga grupe që i kanë bojkotuar bisedimet e paqes, nga Lëvizja për Drejtësi dhe Barazi dhe nga një fraksion i Ushtrisë Çlirimtare të Sudanit.

Një zëdhënës i kësaj të fundit i tha Zërit të Amerikës se qeveria bombardoi pozicionet e kryengritësve nga ajri, që në se është e vërtetë, do të përbënte shkelje të një rezolute të OKB-së, që nuk e lejon ushtrinë sudaneze të kryejë fluturime mbi Darfur.

Megjithë mungesën e disa grupeve kryesore kryengritëse, ndërmjetësit e Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Afrikan i kanë vazhduar bisedimet e paqes në Libi. Ndërmjetësit thonë se bisedimet e tanishme janë vetëm faza e parë e një procesi paqeje disa fazësh. (ze)

XS
SM
MD
LG