Lidhje

Bie numri i vdekjeve nga shumë forma të zakonshme të kancerit


Duket se amerikanët po e kuptojnë rëndësinë e mesazhit mbi kujdesin që duhet treguar ndaj shëndetit. Një raport i hartuar nga agjencitë qeveritare të shëndetit tregon për një rënie të numrit të vdekjeve nga shumë forma të zakonëshme të kancerit.

Për shumë dekada amerikanëve u është thënë të heqin dorë nga duhani, të hanë pak yndyrna dhe më shumë fruta e perime, si dhe të përfshijnë disa forma të ushtrimeve fizike gjatë rutinës së tyre javore. Jo çdo njeri e kupton rëndësinë e dietës. Mbipesha, për shembull, vazhdon të jetë një çështje kryesore e shëndetit dhe është lidhur me kancerin. Por të dhënat e fundit tregojnë rënie të numrit të vdekjeve nga kanceri i mushkërive, kanceri numër një vdekjeprurës në Shtetet e Bashkuara.

Ekspertët thonë se kjo rënie është rezultat i mesazhit kundër duhanit i cili është kuptuar, të paktën nga burrat. Deri pak dekada më parë, pirja e duhanit me grave nuk pranohej nga shoqëria. Raporti tregon se numri i vdekjeve që lidhen me duhanin mes grave nuk ka rënë.

Brenda Edwards e Institutit Kombëtar të Knacerit është një nga autorët e raportit qeveritar. “Duhani është shkaktar i ngadalshëm i kancerit. Nga koha që njeriu bie në kontakt, pra fillon të pijë duhan, e deri në kohën e diagnostikimit me kancer mund të duhen 20 deri 30 vjet.” Kanceri numër dy më vdekjeprurës është kanceri i zorrës së trashë. Por Brenda Edwards thotë se analizat paraprake dhe mjekimi kanë dhënë rezultate të mira. “Tani, me anë të kolonoskopisë, mjekët dallojnë tumorët parakancerozë, polypet, dhe heqja e tyre mund të parandalojë shfaqjen e kancerit.”

Rastet e kancerit të gjirit dhe të vezoreve janë pakësuar. Ekzaminimi i herëshëm me mamografi tashmë është bërë i zakonshëm. Shkencëtarët besojnë se një studim në vitin 2002, që lidh kurën për zevendësimin e hormoneve me kancerin e gjirit, gjithashtu pati një ndikim të dukshëm mes grave të moshuara që ndërprenë marrjen e ilaçeve.

Ndërkohë, kanceri i prostatës vazhdon të jetë një sëmundje e përhapur mes burrave, por falë përdorimit të metodës PSA me antigjen të veçantë të prostatës për analizimin e gjakut, kjo sëmundje mund të zbulohet herët. Zyrtarja e Institutit Kombëtar të Kancerit thotë se gjendja shëndetësore e shumë amerikanëve është e ngjashme me njerëzit në vende të tjera të zhvilluara.

Në vende më pak të pasura, ekziston një mungesë e teknikave mjekësore për parandalimin apo zbulimin e herëshëm të sëmundjeve. “Këtu shumë kancere diagnostikohen me analiza nëpërmjet imazheve. Në vende të tjera kjo nuk ekziston. Po ashtu biopsitë, pa të cilat nuk është e mundur të vërtetohet nëse një tumor është kanceroz ose jo. Pra gjendja ekonomike dhe kujdesi shëndetësor janë të lidhura”.

Rastet e kancereve në mëlçi, stomak, pankreas nuk janë pakësuar. Raporti qeveritar gjithashtu thekson se numri i vdekjeve mes indianëve të Amerikës nuk ka rënë pasi analizat për kancer nëpërmjet imazheve dhe mjekimi janë më pak të mundura sesa për njerëzit e tjerë.

Rënia e përgjithëshme prej 2 përqind në vdekjet nga kanceri mund të mos duket shumë. Por në Amerikë 2 përqind është baraz me 10 mijë njerëz që tani jetojnë më gjatë dhe nuk vdesin nga kanceri. //rd//

XS
SM
MD
LG