Opozita socialiste rihapi sot në parlament debatin për kartat e identitetit dhe regjistrin elektronik të qytetarëve. Deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi tha se projekti ka dështuar dhe është shtyrë disa herë, që nga viti 2005 e deri tani, ndonëse kjo është një nga premtimet kryesore të qeverisë Berisha. “Mënyra e realizimit të kartave të identitetit, jo në të njëjtën kohë me regjistrin kombëtar të votuesve është një rrugë, e cila, për mendimin tone, është thjesht një rrugë korruptive, e parealizueshme, e cila nuk do të mundë të realizojë asnjëherë një proces transparent dhe të përfunduar. Për mendimin tonë dhe të ekspertëve të kësaj fushe, asnjë shqiptar nuk do të ketë iluzion që në zgjedhjet parlamentare të 2009 do të votojë me karta identiteti” – tha deputeti Klosi.
Por Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, thotë se projekti për regjistrin elektronik dhe kartave të identitetit nuk ka dështuar dhe po zbatohet me shprejtësi. Ai tha se regjistri elektronik fillon të hartohet pas pak ditësh dhe përfundon në gushtin e vitit tjetër. “Po fillon hartimi i regjistrit elektronik më datën 5 nëntor, sipas një projekti të arritur me asistencën teknike të OSBE-së dhe të një sërë faktorësh të tjerë që kanë ofruar asistencën e tyre, përfshirë këtu Norëay Statistic, përfshirë angazhimet e mëdha që na kanë ofruar shumë vende të Bashkimit Europian, e ndarë në tre faza: në fazën e parë në qytetin e Tiranës fillon më 5 nëntor” - tha ministri Nishani.
Ministri Nishani tha se pajisja e qytetarëve me karta identiteti dhe me një hartë të saktë adresash janë në qendër të vëmendjes së pushtetit qendror dhe atij vendor. “Kjo punë do të kryhet nga ekspertët tani, - tha ai, - duke lënë mënjanë dështimet shumëvjecare të qeverive të mëparshme”. Mungesa e kartave të identitetit dhe të regjistrit elektronik të shtetasve janë probleme për të cilat më shumë bëhet bujë nga partitë polike në prag të proceseve zgjedhore, por në fakt këto mungesa vështirësojnë jetën e qytetarëve edhe në shumë fusha të tjera si në qarkullimi i lirë i tyre jashtë vendit, në ekonomi, rendin dhe sigurinë publike. //rd//