Agjencia amerikane e Hapësirës thotë se anija Diskaveri u shkëput nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës, për të filluar udhëtimin dy-ditor të kthimit në Tokë. Zyrtarët e NASA-as thonë se anija është në plan të zbresë të mërkurën në portin amerikan të hapësirës, në Kepin Kanaveral, të Floridës.
Dje, astronautët e anijes Discovery dhe ata të Stacionit Hapësinor u përshëndetën me njëri tjetrin, para mbylljes së korridorit komunikues mes dy mjeteve hapësinore. Me anijen Discovery po kthehet astronauti Clayton Anderson, i cili ndodhej në Stacionin e Hapësirës që nga qershori. Ai u zëvendësua nga astronauti Daniel Tani, i cili shkoi krahas me pjesën tjetër të ekipit të anijes, 12 ditë më parë.
Ekuipazhi i anijes Discovery kreu disa ecje në hapësirë. Gjatë ecjeve, ata lidhën një modul me Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, si dhe riparuan me sukses një panel diellor të dëmtuar, një veprim i rrezikshëm dhe i komplikuar. (kh)