Lidhje

Maqedoni: Partitë shqiptare reagojnë ndaj aksionit të policisë pranë Tetovës


Ministria maqedonase e Punëve të Brendëshme ka njoftuar se numri i personave të arrestuar gjatë operacionit të së mërkurës në fshatrat e malësisë së Sharrit është dymbëdhjetë. Deri tani janë identifikuar tre nga gjashtë personat e vrarë të grupit të armatosur.

Ndërkohë, partitë shqiptare kanë reaguar në mënyra të ndryshme pas këtij aksioni të policisë. Ndër gjashtë personat e vrarë të grupit të armatosur është Ramadan Shiti, i arratisur para pak muajsh nga burgu i Dubravës në Kosovë dhe Fatos Aliu, i kërkuar për vepër kriminale në Shqipëri.

Por nuk ka shenjë për Lirim Jakupin të njohur si 'Nacisti', as ndër të vrarët e as ndër të arrestuarit. Aksioni i policisë ka shkaktuar indinjatë tek banorët shqiptarë të fshatrave Brodec, Vicë, Veshallë dhe fshtarat tjerë të malësisë së Sharrit. Banorë të Brodecit thonë se policia vazhdon të qëndrojë në fshat, e përqëndruar nëpër shtëpitë dhe oborret e fshatarëve për t’u siguruar se grupet e armatosura nuk do të kthehen. Ndërkohë, partitë shqiptare kanë reaguar në mënyra të ndryshme.

Partia më e madhe, Bashkimi Demokratik për Integrim pas një takimi urgjent në Tetovë u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe BE-së që të ndërhyjnë për të kthyer gjendjen normale në këtë zonë. Ermira Mehmeti zëdhënëse e Bashkimit Demokratik për Integrim shpreh zemërimin e partisë edhe për hyrjen e forcave policore dhe bastisjet nëpër shtëpitë e ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Ndërkohë që BDI-ja akuzon partnerët e koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE-në dhe PDSH-në për situatën e krijuar në malësinë e Sharrit, partia Demokratike Shqiptare e koalicionit në pushtet thotë se "shkak i aksionit policor të bashkërenduar me forcat e KFOR-it dhe policinë e Kosovës, janë grupet kriminale të cilat, duke mos mundur të veprojnë në Kosovë, u hodhën në Maqedoni. Këtu ato kishin për qëllim të krijojnë tensione por tensionet i bënë brenda shtëpive të shqiptarëve në fshatrat e këtij rajoni", thuhet në një reagim të PDSH-së.

Partitë shqiptare në Maqedoni janë të vetëdijshme se zhvillimet e këtilla mund ta dëmtojnë statusin e Kosovës, ndërkohë që u bëjnë thirrje shqiptarëve të këtushëm që të jenë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve.

XS
SM
MD
LG