Lidhje

A do të arrijë Shqipëria të marrë ndihma nga Korporata Sfida e Miijëvjeçarit?


Korporata Sfida e Mijëvjeçarit thotë se Shqipëria ka shënuar përparime në fushën e qeverisjes dhe lirive ekonomike falë programit të zbatuar nga qeveria për të luftuar korrupsionin dhe për të përmirësuar klimën e biznesit. Drejtoresha për Menaxhimin e Politikave të Zhvillimit thotë megjithatë se do të duhet më shumë kohë që këto rezultate të reflektohen në treguesit që kërkohen për të plotësuar kriteret për të dhënë ndihma përmes programit kompakt për Shqipërinë.

Drejtoresha e Korporatës Sfida e Mijëvjeçarit për Menaxhimin e Politikave të Zhvillimit, Sherri Kraham thotë se Shqipëria po bën përparim të madh në programin e pragut të mijëvjeçarit.

Programi i hartuar për të ngritur treguesit e Shqipërisë në mënyrë që ajo të kualifikohet për ndihma të plota nga Korporata Sfida e Mijëvjeçarit po jep rezultate në përmirësimin e treguesve të lehtësimit të regjistrimit të bizneseve, prokurimeve publike dhe administrimin e taksave.

Por zonja Kraham pranon se megjithë hapat e ndërmarrë nga qeveria dhe ndihmën e dhënë nga Korporata Sfida e Mijëvjeçarit, do të duhet më shumë kohë që këto rezultate të pasqyrohen në treguesit që kërkohen për të plotësuar kriteret e kësaj korporate për të dhënë ndihma përmes programit kompakt për Shqipërinë. “Kemi parë një numër përmirësimesh në treguesit për Shqipërinë në fushën e qeverisjes dhe të lirisë ekonomike. Por reformat kërkojnë kohë -- është e vështirë të ketë efekte të menjëherëshme të programit në kriteret e kërkuara. Ne po shohim përparimin e bërë dhe ky program u hartua për të targetuar ato fusha ku Shqipëria ka tregues të dobët. Presim që me kalimin e kohës ata të përmirësohen si rezultat i këtij programi”.

Duket se korrupsioni është sëmundja që infekton të gjithë treguesit ende të çalë të Shqipërisë. Zyrtarja amerikane thotë se duke qënë në një kategori më të lartë përsa u përket të ardhurave, Shqipërisë i duhet tani të konkurrojë me standarte më të larta. "Një nga sfidat për Shqipërinë është se ishte shumë pranë për t’u kualifikuar vite më parë kur u zgjodh për programin e pragut të mijëvjeçarit por për shkak të rritjes së të ardhurave kombëtare lëvizi në kategorinë me të ardhura mesatare dhe konkurrenca aty është më e vështirë, pasi ka tregues më të lartë. Në këtë kategori sfidat janë më të mëdha. Ne e dimë këtë dhe presim që në se qeveria vazhdon me reformat përmes këtij programi dhe jashtë tij do të vazhdojë të shënojë përparime në luftën kundër korrupsionit".

Zonja Kraham thotë se vetë korporata po përballet me shkurtime të buxhetit dhe megjithëse shumë vende mund të shënojnë përparime, një numër i kufizuar mund të marrin ndihma. "Një nga sfidat më të mëdha për Korporatën, është të gjejë balancën për të vazhduar të nxisë reformat në të gjitha vendet që kërkojnë të kualifikohen si Shqipëria me realitetin dhe sfidat e buxhetit që Sfida e Mijëvjeçarit ka në dispozicion. Korporata Sfida e Mijëvjeçarit ka më shumë vende që meritojnë fonde sesa ne kemi mundësi të mbështesim".

Javën e ardhshme, Korporata Sfida e Mijëvjeçarit do të publikojë treguesit matës në kategoritë, Qeverisje e Drejtë, Investimet Publike dhe Liritë Ekonomike. Megjithëse ende në programin e pragut, bordi do të shqyrtojë treguesit e Shqipërisë në dhjetor në takimin vjetor për zgjedhjen e vendeve që do të përfitojnë nga programi kompakt dhe do të vendosë në se Shqipëria do të jetë në gjendje të aplikojë për këtë program. //rd//

XS
SM
MD
LG