Lidhje

Bashkia e Nju Jorkut synon të tërheqë më shumë turistë


Me rreth 43 milionë vizitorë në vit, qyteti i Nju Jorkut nuk ka nevojë të bëjë shumë reklama për të tërhequr turistët dhe dollarët që ata sjellin. Por në Bashkinë e qytetit nuk janë dhe aq të kënaqur me këtë shifër. Ata duan që numri i turistëve të jetë shumë më i madh.

Një fushatë e re e reklamave të Nju Jorkut ngre në qiell Manhatanin dhe ka si objektiv tërheqjen e turistëve të huaj. Ja ç’thotë kryebashkiaku i Nju Jorkut, Michael Bloomberg.

“Kjo fushatë me multimedia synon t’i bëjë turistët të ndihen më të mirëpritur, t’i ndihmojë të shijojnë vizitën dhe t’i falenderojë për ardhjen”.

Qyteti ka lançuar një program që quhet “Pyesni njujorkasit”, ku njerëz të famshëm u thonë vizitorëve t’u drejtohen vendasve me pyetje rreth qytetit të tyre. Dhe turistët thonë se fushata po jep rezultat.

“Jemi befasuar se sa miqësorë tregohen njerëzit kur na shohin me hartë në dorë dhe na pyesin se nëse kemi nevojë për ndihmë”.

Agjencia turisitike e qytetit e quajtur New York City and Company ka filluar një fushatë me reklama televizive të cilat transmetohen në Spanjë, Itali, Portugali, Britani dhe Irlandë. Vëzhgimet tregojnë se turistët nga këto vende zakonisht qëndrojnë në qytet më gjatë dhe shpenzojnë më tepër. Zyrtarë të qytetit thonë se industria e turizmit, e cila sjell 25 miliardë dollarë në vit është shumë e rëndësishme sepse ofron punë për 350 mijë vetë. Kris Hejud i kësaj agjencie shpjegon se si i ndihmon qytetarët e Nju Jorkut kjo industri.

“Njerëzit jo gjithmonë e kuptojnë efektin ekonomik të turizmit, por kur e analizon nga afër shikon se kjo industri i kursen rreth 950 dollarë taksa në vit çdo familjeje të Nju Jorkut. Pra duke pasur një numër të madh turistësh, kjo na ndihmon që të ulim taksat dhe ta bëjmë qytetin më të lehtë për t’u administruar”.

Shumë turistë të huaj në rrugët e Nju Jorkut ndoshta nuk mendojnë se qyteti administrohet si duhet por shumë prej tyre të pakën ikin me përshtypjen se njerëzit këtu janë shumë mikëpritës, gjë që është befasuese sepse njujorkasit njihen si njerëz të vrazhdë.

“Qyteti është pak i madh dhe i komplikuar por njerëzit janë shumë të sjellshëm,” thotë një turist. “Të gjithë janë shumë të shoqërueshëm, thotë një turist tjetër. Nuk e di nëse do të kisha mundur të jetoj këtu për një kohë të gjatë, por qyteti është shumë i mirë për tu vizituar”.

Turistët mund t’i duan njujorkasit por si ndihen 8 milionë banorët e këtij qyteti ndaj numrit në rritje të vizitorëve? Ja si shprehen disa prej tyre.

“Shumë keq. Nuk kalon dot rrugën sepse të shtyjnë, të gjithë nxitojnë. Po të shtohen njerëzit, nuk do të lëvizim dot fare.”

“Me rënien e dollarit kemi shumë turistë nga Evropa. Më tepër turistë padyshim është mirë sepse kjo ndihmon ekonominë e Nju Jorkut por ka një kufi se sa njerëzve mund të shërbejmë në sistemin e transportit, apo me kapacitetin e teatrove dhe spektakleve”.

Kryebashkiaku i Nju Jorkut Bloomberg thotë se më shumë se gjysma e të ardhurave nga turizmi vitin e kaluar erdhën nga turistët e huaj të cilët në të kaluarën bazoheshin kryesisht te librat turistikë për t’u orientuar në qytet, por me fushatën e re tani ata “mund të pyesin vetë njujorkasit”. (ze)

XS
SM
MD
LG