Lidhje

Thaçi: Karriera e njeriut që pritet ta çojë Kosovën në pavarësi


Në se rezultatet e deritanishme qëndrojnë, Hashim Thaçi, ish udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të bëhet kryeministër por atij do t’i duhet të formojë një qeveri koalicioni. Por cili është Hashim Thaçi, dhe cila është rruga e përshkuar prej tij për të arritur deri në fitoren e zgjedhjeve të djeshme.

Ish udhëheqësi i UÇK-së Hashim Thaçi, ishte njëri ndër ata që drejtuan luftën e cila i dha fund sundimit të Serbisë në Kosovë.

Tani, ai përgatitet të bëhet jo vetëm kryeministër por edhe njeriu që pritet ta udhëheqë Kosovën për në pavarësi.

39-vjeçari Thaçi njihet gjerësisht si një polikan i shkathët i cili është përpjekur shumë për të ardhur në pushtet.

Me sa duket kjo do të jetë hera e parë që shqiptarët ia besojnë pushtetin një partie të udhëheqësur nga një ish guerilas.

Duke njoftuar fitoren, zoti Thaçi tha se si kryeministër do ta shpallë pavarësinë e Kosovës menjëherë pas 10 dhjetorit, afati i vënë nga Kombet e Bashkuara për përfundimin e negociatave të drejtuara nga treshja ndërkombëtare mes Prishtinës dhe Beogradit.

Zoti Thaçi u lind në Drenicë të Kosovës qendrore e cila ishte vatra e rezistencës së armatosur shqiptare kundër autoriteteve serbe.

Drenica ishte arena e operacionit të policisë serbe kundër shtëpisë së familjes Jashari, e akuzuar për sulme kundër autoriteteve në mars 1997.

Vrasja e më shumë se 50 pjestarëve të kësaj familjeje bëri që të shtohej mbështetja për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Hashim Thaçi – i cili njihej me emrin e luftës “Gjarpëri” doli si udhëheqës politik i UÇK-së në vitin 1997 duke marrë përgjegjësinë për një numër sulmesh kundër autoriteteve serbe.

Në atë kohë student i historisë, Thaçi bashkë me luftëtarët e tij i bënë sfidë politikave të padhunëshme të udhëheqësit pacifist Ibrahim Rugova.

Politikat diskriminuese të ish presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç dhe fushata e tij shtypëse, e shtoi mbështetjen e shqiptarëve për UÇK-në dhe konflikti që pasoi e vuri Kosovën në qendër të vemendjes së komunitetit ndërkombëtar.

Në verën e vitit 1998, Thaçi shkonte fshat më fshat ku UÇK-ja i bënte sfidë kontrollit të autoriteteve serbe.

Më pas, ai u përfshi në bisedimet e zhvilluara në Francë për t’i dhënë fund konfliktit. Bisedimet e Rambujesë mbështeteshin nga Shtetet e Bashkuara.

Udhëheqësi i ri filloi të luajë një rol gjithnjë e më të madh dhe vlerësohej lart nga sekretarja amerikane e shtetit në atë kohë, Madeleine Albright.

Në Rambuje, u deshën shumë përpjekje për ta bindur Thaçin të nënshkruante një marrëveshje kompromisi që nuk garantonte pavarësinë.

Pas dështimit të diplomacisë, trupat serbe u detyruan të largohen nga Kosova si rrjedhojë e bombadimeve të NATO-s.

Pas luftës, Thaçi u vlerësua nga ndërkombëtarët si një ndër aktorët kryesorë për vendosjen e qendrueshmërisë në Kosovën e shkatërruar nga konflikti dhe ku mbizotëronin urrejtjet etnike.

Thaçi luajti rol kryesor në çarmatimin e UÇK-së dhe nënshkrimin e marrëveshjes për ta kthyer atë në një forcë emergjence të armatosur lehtë.

Më pas, ai e la uniformën ushtarake për të veshur kostumin dhe për të krijuar Partinë Demokratike të Kosovës, e cila përfshinte brenda saj ish luftëtarët e UÇK-së.

Megjithatë, periudha menjëherë pas luftës ia zbehu atij imazhin, sepse ish luftëtarët filluan të kritikohen për kaosin që përfshiu Kosovën dhe që zgjati me muaj të tërë.

Trazirat e pasluftës bënë që mijra serbë të largohen nga Kosova për shkak të sulmeve hakmarrëse. Mungesa e rendit vazhdoi deri sa NATO-ja dhe autoritetet e OKB-së vendosën kontrollin.

Thaçi, i cili pritej të fitonte bindshëm në zgjedhjet e para të vitit 2000, humbi ndaj Rugovës.

Ai humbi përsëri në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2001 dhe ato që pasuan.

Megjithatë, partia e tij mbeti blloku politik numër 2 në Kosovë dhe kjo i dha një rol Thaçit në të gjitha zhvillimet kryesore në Kosovë, duke përfshirë bisedimet me Serbinë për të ardhmen e Kosovës.

Në fjalimin e fitores që mbajti sot, zoti Thaçi u zotua se do të bashkëpunojë me Bashkimin Europian dhe me Shtetet e Bashkuara për ta bërë Kosovën të pavarur. //ii

XS
SM
MD
LG