Lidhje

Bashkimi Evropian i bën thirrje Kosovës të mos nxitohet për shpalljen e pavarësisë


Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian i bënë sot thirrje ish udhëheqësit të UÇK-së Hashim Thaci, i cili pritet të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës, të mos nxitojë për të shpallur pavarësinë e vendit nga Serbia nëse bisedimet ndërkombëtare dështojnë në zgjidhjen e statusin përfundimtar muajin e ardhshëm.

Havier Solana, përfaqësuesi më i lartë i Bashkimit Evropian për Sigurinë u tha gazetarëve se bisedimeve për statusin, raundi i ardhshëm i të cilave do të zhvillohet nesër, duhet t’u jepet shansi për të dalë me sukses.

“Do të zhvillohen edhe dy raunde bisedimesh, një në Vienë dhe një në Bruksel, dhe duhet të presim deri me 10 dhjetor për të parë raportin dhe përgjigjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara".

Zoti Solana tha se zgjedhjet e kësaj fundjave nuk e kishin ndryshuar situatën në Kosovë, megjithëse fituesi i tyre, Hashim Thaçi theksoi se do të shpallte pavarësinë e Kosovës menjëherë pas afatit të 10 dhjetorit për përfundimin e bisedimeve.

Komentet e zotit Solana u mbështetën edhe nga ministri gjerman i mbrojtjes.

“Le të presim negociatat deri me 10 dhjetor, pastaj do të shohim se se çfarë rruge do të ndjekim".

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jap De Hoop Schefer e vlerësoi procesin zgjedhor në Kosovë

“Ёshtë e rëndësishme që zgjedhjet ishin të qeta dhe të drejta, por është për të ardhur keq që serbët e Kosovës nuk morën pjesë, sepse mendoj se edhe ata duhet të jenë pjesë e procesit zgjedhor. Tani është e rëndësishme që grupi i unitetit të ketë një qendrim konstruktiv në negociatat me troikën, dhe të formohet qeveria e re".

Dy vite negociatash mes udhëheqësve shqiptarë të Kosovës dhe qeverisë serbe nuk kanë bërë ndonjë përparim.

Pas takimit të fundit në Vjenë, si Beogradi edhe Prishtina theksuan se marrëveshja duket e pamundur.

“Kosova duhet të marrë pavarësinë, por kjo nuk duhet të jetë shpallje e njëanshme e saj, ajo duhet të jetë e koordinuar nga komuniteti ndërkombëtar".

Ministri i jashtëm suedez Karl Bild tha se zoti Thaçi duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e postit të tij të ri.

“Jam i sigurt se ai e kupton ndryshimin ndërmjet një politikani në opozitë dhe një kryeministri, dhe ne shpresojmë se ai do të jetë kryeministër i përgjegjshëm. Kosova është de facto e pavarur nga Serbia. Por, nuk mendoj se Kosova dëshiron të jetë e pavarur edhe nga komuniteti ndërkombëtar".

Ndërsa zëvendës kryeministri i Serbisë Bozidar Djelic, i cili ndodhet në Bruksel për bisedime me zyrtarët e Bashkimit Evropian, e mbrojti qendrimin e qeverisë së tij rreth negociatave për statusin.

“Serbia, siç e keni parë gjatë raundit të fundit, ka dalë me ide të reja, siç ishte shembulli i Hong Kongut. Dhe delegacioni ynë do të ofrojë nesër edhe sqarime të tjera. Pra ne kemi qenë pala më elastike dhe presim që BE-ja t’u kërkojë të njëjtën gjë edhe palës shqiptare të Kosovës”.

Pas dy takimeve të fundit të ekipeve negociatore në Bruksel dhe në Vienë, treshja ndërkombëtare pritet t’ia dorëzojë raportin Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun. //iç//

XS
SM
MD
LG