Lidhje

Zyrtarët pakistanezë kanë liruar 3 mijë e 400 të burgosur


Zyrtarët pakistanezë thonë se kanë liruar 3 mijë e 400 të burgosur, të cilët ishin ndaluar në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme, të vendosur nga Presidenti Pervez Musharraf.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Javed Iqbal Cheema, tha sot se së shpejti do të lirohen edhe disa prej 2 mijë të ndaluarve të tjerë.

Pak pas lirimit të tyre, policia u përlesh me protestuesit kundër qeverisë, që kishin dalë për të kundërshtuar një vendim për ndalimin e demonstratave. Ndërsa në qytetin e Karachit, sot u arrestuan të paktën 140 gazetarë, gjatë një mitingu, ku po dënoheshin masat e rrepta ndaj medias, të vendosura pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, më 3 nëntor.

Po sot, Komisioni Elektoral i Pakistanit, shpalli zyrtarisht se zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 8 janar. Udhëheqësit e opozitës kanë thënë se mund t’i bojkotojnë votimet, në rast se vendit nuk i rikthehet sundimi demokratik dhe në se nuk kthehen përsëri në detyrë juristët e Gjykatës së Lartë, të cilët i pushoi nga puna Presidenti Musharraf.

Vetë zoti Musharraf, sot shkoi në Arabinë Saudite për dy ditë bisedime me zyrtarë të lartë. Ish-kryeministri pakistanez Nawaz Sharif, i cili ndodhet në mërgim atje, i ka mohuar njoftimet se ka në plan të takohet me gjeneralin Musharraf gjatë vizitës së tij. (ze)

XS
SM
MD
LG