Lidhje

Gazetarët analizojnë fitoren e partisë së Hashim Thaçit në Kosovë


Negociatat për statusin e Kosovës vazhdojnë, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të së shtunës, Partia Demokratike e drejtuar nga Hashim Thaçi, fitoi numrin më të madh të vendeve në Parlament. Një nga premtimet e tij elektorale ishte shpallja e pavarësisë në mënyrë të njëanshme, në qoftë se nuk arrihet një marrëveshje mbi problemin. Zëri i Amerikës, zhvilloi një bisedë me gazetarë serbë, shqiptarë dhe gjermanë rreth problemit të bllokuar.

Liljana Smajloviç, kryeredaktore e revistës serbe “Politika”, tha se Hashim Thaçi është i papëlqyer nga serbët për arsye se ai ka qenë kryetar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Në Serbi, Hashim Thaçi kujtohet me emrin e tij të luftës si Komandanti Gjarpër. Në sytë e serbëve, ai është ish-udhëheqësi rebel famëkeq dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës që ai udhëhoqi kreu shumë krime kundër civilëve dhe policisë serbe në Kosovë. Por nga ana tjetër, në lidhje me negociatat për statusin e Kosovës, nuk do të kishte ndonjë ndryshim se cili nga drejtuesit do të jetë kryeministër”.

Negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës mbi statusin e Kosovës janë zvarritur për rreth 2 vjet pa ndonjë rezultat. Ato janë planifikuar të përfunojnë në 10 dhjetor, por pak njerëz të përfshirë në bisedime shpresojnë për ndonjë zgjidhje. Liljana Smajloviç tha se ajo mendon që kompromisi midis serbëve dhe shqiptarëve është pothuajse i pamundur sepse të dyja palët kanë ide krejtësisht të kundërta për kërkesat e tyre.

“Serbët mendojnë se komromisi do të ishte që çështja e statusit të vonohet ose statusi të mbetet siç është. Serbët duan që zyrtarish Kosovatëm jetë nën varësinë e tyre. I vetmi kompromis që ende mbetet i hapur është mundësia që Bashkimi Evropian të dali me një zgjidhje e cila i jep shqiptarëve më shumë kontroll mbi çështjet e tyre, por njëkohësisht të arrijë ta lërë të papërcaktuar çështjen e statusit në mënyrë që të dyja palët të ndjehen se nuk kanë humbur përfundimisht dhe secili ka fituar diçka”.

Përsa i përket Bashkimit Evropian, Matthias Rueb korrespondenti i gazetës Frankfurter Alemaine Zaitung në Wahington, tha se në vërtetë nuk ka rëndësi se cili politikan kosovar është kryeministër.

“Për arsye se të gjitha partitë politike në Kosovë, qoftë Lidhja Demokratike e Kosovës e ish-Presidentit Ibrahim Rugova, i cili vdiq në 2005, ose ajo e tanishmja e Hashim Thaçit, kërkojnë pavarësinë nga Serbia. Çfarë ka rëndësi është se si Bashkimi Evropian do të merret me këtë problem dhe BE-ja nuk ka dalë me një emërues të përbashkët rreth kësaj çështjeje”.

Beogradi nuk është tmerrësisht i shqetësuar nëse Kosova shpall pavarësi të njëanshme, tha Liljana Smajloviç.

“Ajo që e shqetëson Beogradin është se Washingtoni do ta njihte pavarësinë e njëanshme. Mendoj se në qoftë se do të kishim një deklarim të njëanshëm, që nuk do të miratohej nga Këshilli i Sigurimit dhe në qoftë se Washingtoni do ta njihte Kosovën si një shtet të pavarur, serbët do të largoheshin nga një Kosovë e tillë e pavarur”.

Mathias Rueb tha se si kosovarët ashtu dhe serbët janë të nervozuar sepse ata kanë jetuar për një kohë të gjatë në një politikë vicioze. Por ai është i të njëjtit mendim me Liljana Smajloviçin se në qoftë se shqiptarët, të cilët përbëjnë më shumë se 90 % të popullsisë së Kosovës, deklarojnë pavarësinë, ka mundësi që serbët të largohen.

“Në qoftë se se Hashim Thaçi, kryeministri i ardhshëm, është politikan i vërtetë, ai në fillim duhet t’i drejtohet serbëve të qëndrojnë dhe t’i garantojë ata se ata do të jenë të sigurtë në shtëpitë e tyre kudo që ndodhen”.

Por, Aferdita Kelmendi, drejtoreshë e radio-televizionit 21 në Prishtinë, tha se ka një ndryshim të madh midis asaj që një kandidat i opozitës si Hashim Thaçi thotë gjatë fushatës dhe çfarë do të bëjë si kryeministër.

“Mendoj se deklaratat e bëra gjatë fushatës elektorale janë premtime elektorale dhe këto janë normale. Por Hashim Thaçi e di shumë mirë se ne kemi nevojë për mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar”.- tha zonja Kelmendi.

Ajo tha se ekonomia e Kosovës është në kaos dhe papunësia arrin në 50 %. Kjo do të thotë se Kosova ka nevojë të madhe për investime të huaja, kështu që të zhgënjesh komunitetin ndërkombëtar, vazhdoi ajo, do të ishte e pamatur.

Matthias Rueb mendon se 27 vendet e BE janë të ndara rreth problemit të pavarësisë për Kosovën. Rusia e kundërshton fuqimisht atë, ndërsa Shtetet e Bashkuara mbështesin kosovarët.

“Treshja e përbërë nga BE, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, nuk do të dalë me një konkluzion derisa mandati i saj të përfundojë më 10 dhjetor. Kështu që ende do të mbetet që kosovarët pretendojnë pavarësi dhe serbët që nuk kanë dëshirë t’i japin atyre më shumë se një autonomi të gjerë. Kështu që do të jetë një situatë e bllokuar dhe ka shumë mundësi që të ketë një deklarim të njëanshëm të pavarësisë nga shqiptarët. Dhe situata do të vijë që Shtetet e Bashkuara, ashtu siç ka deklaruar Washingtoni, do ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Por menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare, Hashim Thaçi tha se Kosova nuk do të nxitohet të deklarojë pavarësinë nga Serbia pa bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë.//kk//

XS
SM
MD
LG