Lidhje

Filmi i ri "Lions for Lambs" – "Luanë për Qingja" dhe mesazhet e tij


Filmi i ri "Lions for Lambs" – Luanë për Qingja - një dramë e re politike me regjisor aktorin e mirënjohur Robert Redford, merret me luftën në Afganistan dhe me angazhimin amerikan ndaj luftës kundër terrorit. Ngjarja shpaloset në tre pista që rrjedhin njëkohësisht dhe përqendrohet te bindjet morale të amerikanëve të ndryshëm për luftën.

Në zyrën e tij prestigjoze në Washington D.C., senatori republikan Jasper Irving zbulon para gazetares Janine Roth një ofensivë të re që qeveria po ndërmerr në Afghanistan duke e quajtur atë një hap të rëndësishëm në luftën kundër terrorit.

Ndërkohë, në një universitet të Kalifornisë, profesori i shkencave politike, Stephen Malley, përpiqet të bindë studentin e tij të zgjuar por të pamotivuar Todd Hayes që të marrë një qendrim në jetë, sepse sipas profesorit, mosveprimi dhe vetkënaqësia e vret demokracinë.

Dy dialogje të filmit përfaqësojnë dy pikpamje politike të kundërta: pikëpamja pro luftës që përfaqësohet në film nga senatori neo-konservator Jasper Irving, i cili ka synime presidenciale dhe ndjenja kundër luftës e shprehur nga profesor Malley.

Në mes të gjithë këtij vështrimi filozofik qendrojnë dy të rinj, ish studentë të profesorit Malley, të cilët kanë hyrë në ushtri dhe kanë shkuar për të luftuar në Afganistan për vendin e tyre, Amerikën. Por ironia është se këta dy luanë të rinj, dërgohen në një arenë të rrezikshme luftimesh nga oficerë inkompetentë, ose “qingja” siç i përshkruan filmi.

Megjithëse filmi pasqyron dilemat e zhvillimeve të tanishme në Lindjen e Mesme, tema e tij kryesore nuk është thjesht lufta por lufta e ideve mes njerëzve të cilët kanë pikpamje krejtësisht të ndryshme se si mund të përmirësohet bota ku jetojmë.

Filmi ka si regjisor aktorin Robert Redford, fitues i Çmimit Oskar. "Do të ishte shumë e lehtë t’i vije këtij filmi një etiketë dhe të thoshe: ja se ç’duhet të mendoni ju shikues për këtë film dhe ja se cila është përgjigja jonë ndaj këtij problemi. Jo. Këto histori që përshkruhen në film në mënyrë dramatike, arrijnë një pikë që prekin ndërgjegjen tënde dhe ti pyet veten: çfarë duhet të bëj unë, çfarë ndje unë?"

Megjithëse i ngadaltë, filmi përmban dialogje mjaft të bukur dhe aktorët janë ndër më të njohurit. Tom Cruise rrezaton pasion, inteligjencë dhe vendosmëri në rolin e senatorit të ri Jasper Irving që ëndësrron të bëhet president. Meryl Streep luan rolin e gazetares së zgjuar por plot mëdyshje, e cila lëkundet mes dëshirës për t’i bërë një nder senatorit dhe nga ana tjetër për të bërë një shkrim që ve në pikëpyetje planet e tij. Roli i aktores Meryl Streep simbolizon njëkohësisht rolin që ka luajtur media amekane pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

Ky është një film statik, pa shumë aksion. Do të mund të karakterizohej si predikues po të mos kishte baraspeshën dhe forcën e argumenteve që pasqyron. Është një film që të provokon mendimet dhe që pasqyron me vërtetësi klimën në të cilën jetojmë dhe dilemat me të cilat përballemi në kohën e sotme. //rd//

XS
SM
MD
LG