Lidhje

Paris: Përleshje me dhunë mes të rinjve dhe policisë


Policia në lagjet periferike të Parisit është në gjendje gatishmërie të lartë, pasi të rinj të rebeluar sulmuan mbrëmë një rajon policie, dogjën makina dhe vandalizuan dyqane.

Mbi 20 policë u plagosën në këto akte dhune, përfshirë shefin e rajonit të policisë i cili u rrah nga të rinjtë, kur u përpoq të negocionte me ta. Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, tetë vetë u arrestuan.

Dhuna në lagjen periferike Villiers-le-Bel shpërtheu pasi dy adoleshentë imigrantë gjetën vdekjen kur motorçikleta e tyre u përplas me një makinë policie. Ende nuk janë të qarta hollësitë nga përplasja, që ndodhi pranë një zone banimi për shtresa me të ardhura të ulëta në veri të Parisit. Por disa banorë thonë se policia u largua menjëherë nga skena e aksidentit, duke i lënë dy të rinjtë e aksidentuar aty.

Një agjenci që kontrollon mbarëvajtjen e punës së forcave të rendit ka filluar hetime mbi aksidentin për të zbuluar nëse ndaj policëve duhet të ngrihen akuza për vrasje pa paramendim dhe për mos-angazhim në ndihmë të personave në rrezik.//lk

XS
SM
MD
LG