Lidhje

Fillon takimi dy-ditor i OSBE-së në Spanjë


Shtetet e Bashkuara dhe Rusia akuzuan njëra tjetrën se po përpiqen të manipulojnë Organizatën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, ndërkohë që kjo e fundit filloi sot një takim dy ditor në Madrid.

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, përsëriti planet e vendit të tij për reformimin e OSBE-së dhe e cilësoi kundërshtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj këtyre propozimeve si jo konstruktive.

Nën-sekretari amerikan i Shtetit Nikolas Bërns, tha se propozimet e Rusisë do të dobësonin Organizatën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë dhe misionin e saj të vëzhgimit të zgjedhjeve. Ky shkëmbim akuzash pasoi vendimin e OSBE-së për të anulluar planet për mbikqyrjen e zgjedhjeve parlamentare të së dielës në Rusi.

Zyrtarët e OSBE-së thanë se e morën këtë vendim në përgjigje të vonesave nga ana e Moskës për të dhënë viza për vëzhguesit dhe për të pakësuar në mënyrë të njëanshme numrin e vëzhguesve.

Sot më parë, Kryeministri i Spanjës, Hose Luis Rodrigez Zapatero bëri thirrje për rikrijimin e konsensusit lidhur me Traktatin për Forcat Konvencionale në Evropë, pasi Rusia njoftoi se ka në plan të tërhiqet nga traktati, duke kritikuar vendet e NATO-s që nuk e kanë ratifikuar një variant të ndryshuar të marrëveshjes.

Vendet e NATO-s thonë se po presin që Rusia të përfundojë tërheqjen e trupave të saj nga bazat ish sovjetike në Gjeorgji dhe Moldavi. Ministrat e vendeve anëtare të OSBE-së kanë në plan të diskutojnë edhe çështje të tjera, përfshirë edhe situatën në Kosovë. //rd//

XS
SM
MD
LG