Lidhje

Treshja i dorëzon sot raportin mbi Kosovën Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së


Ministrat e jashtëm të NATO-s pritet të deklarojnë të premten zyrtarisht në Bruksel se do të mbajnë të njëjtin nivel trupash në Kosovë. Sekretarja amerikane e shtetit shprehu dje para se të mbërrinte në kryeqytetin belg për takimin e aleancës, mbështetjen e Shtetetve të Bashkuara për planin Ahtisaari. Po të premten, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon takohet në New York me treshen e Grupit të Kontaktit, e cila pritet t’i dorëzojë raportin tre ditë para afatit të 10 dhjetorit.

Diplomatët në Bruksel thanë dje se shefat e diplomacisë së vendeve të NATO-s do ta ruajnë nivelin aktual prej 16 mijë trupash në Kosovë. Ministrat e Jashtëm të aleancës do ta bëjnë sot njoftimin zyrtar për vendimin, megjithëse jo të gjitha vendet e aleancës kanë të njëjtin qëndrim ndaj shpalljes së mundshme të pavarësisë nga Kosova. Ekziston shqetësimi se një veprim i tillë mund të shkaktojë dhunë.

Dje gjatë udhëtimit për në Bruksel Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice përsëriti mbështetjen për pavarësinë e Kosovës, në bazë të planit Ahtisaari. Ajo tha se treshja ndërkombëtare diplomatike i ka ezauruar të gjitha alternativat dhe misioni i tyre ka përfunduar, duke shtuar se Serbia dhe Kosova duhet të shohin përpara drejt së ardhmes së tyre.

Në Shtetet e Bashkuara, treshja bëhet gati t’ia dorëzojë sot raportin Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, tri ditë para afatit. Zoti Ban Ki Moon foli dje para gazetarëve në New York.

“Jam i shqetësuar për mungesën e përparimit. Do të takohem nesër me përfaqësuesit e treshes dhe pres që raporti të më dorëzohet gjatë këtij takimi. Unë do t’ja kaloj atë Këshillit të Sigurimit për udhëzime të mëtejshme. Tani për tani nuk mund të them asgjë më shumë”, tha ai.

Sekretari i Përgjithshëm niset të shtunën në Bali të Indonezisë për të marrë pjesë në konferencën për ndryshimet e klimës dhe zëdhënësja e tij kishte thënë dje se ai shpresonte ta merrte raportin para se të nisej.

Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara, dhe qendra të tjera diplomatike perëndimore, si edhe vetë zoti Ban ki Moon po shprehen se nuk ka asnjë shpresë për kompromis, Ministri i Jashtëm Serb, Vuk Jeremic u takua dje me zotin Ban Ki Moon dhe anëtarë të Këshillit të Sigurimit në New York duke kërkuar pikërisht negociata të mëtejshme.

“Nuk besoj se duhet shumë kohë për të gjetur një zgjidhje kompromisi. Nuk e kam fjalën për shumë javë, apo muaj. Ajo që është kritike është një ambjenti në të cilin të negociojmë të jetë i ndryshëm”, tha ai.

Zoti Jeremic u përgjigj edhe për reagimin serb në rast të shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga Kosova:

“Me përjashtim të forcës ushtarake, Serbia do të bëjë çdo gjë që është në pushtetin tonë diplomatik, ligjor, ekonomik dhe politik që ky vendim të ndalohet dhe të mos vihet në jetë”.

Analistët kanë paraqitur skenarë të ndryshëm për rrugën që do të ndiqte njohja e pavarësisë së Kosovës, sidomos duke pasur parasysh sea vendet e Bashkimit Evropian kanë qëndrime të ndryshme për këtë çështje dhe se Rusia do të bllokonte çdo njohje të saj, duke përdorur veton në Këshillin e Sigurimit. //kk//

XS
SM
MD
LG