Lidhje

Uizner: Marrëveshja me bisedime për Kosovën ishte e pamundur


Në një intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës, i dërguari amerikan në Treshen Ndërkombëtare Frank Uizner tha se u shqyrtua çdo alternativë e arësyeshme dhe mes palëve nuk ka marrëveshje. Zoti Uizner, i cili foli me telefon nga Nju Jorku në cilësinë e anëtarit amerikan të Treshes, tha se hapi tjetër do të jenë diskutimet në Këshillin e Sigurimit dhe një periudhë gjatë së cilës qeveritë e vendeve sovrane do të reflektojnë për këtë çështje. Plani Ahtisari, tha ambasadori, nuk ka qenë për asnjë moment jashtë tryezës gjatë periudhës së negociatave.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, çfarë thuhet në thelb në raportin që ju i dorëzuat Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki-Moon?

Amb. Frank Wisner: Jam i sigurt që Sekretari i Përgjithshëm do ta lexojë raportin dhe unë nuk dua të flas paraprakisht, pasi ai do të nxjerrë përfundimet e veta, por në thelb, në raportin e treshes thuhet se ne punuam intensivisht për 120 ditë, duke shqyrtuar çdo zgjidhje të mundshme dhe se ishte e pamundur të gjendeshin pika takimi mes Beogradit dhe Prishtinës, megjithëse ne siç shprehemi në raport “nuk lamë gur pa luajtur”. Ne patëm një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë nga të dyja palët. Të dyja palët paraqitën në tryezë pozicionet e tyre dhe dëgjuan idetë tona, por fatkeqësisht nuk pati pika bashkimi. Njëkohësisht të dyja palët pranuan idenë tonë se dhuna dhe kërcënimet duhen shmangur jo vetëm gjatë negociatave, por edhe tani që ato kanë mbaruar dhe ne shpresojmë shumë që këto premtime të respektohen.

Zëri i Amerikës: A është shterruar plotësisht mundësia për një zgjidhje diplomatike mes palëve?

Amb. Frank Wisner: Unë besoj se ne kemi shqyrtuar çdo alternativë dhe çdo rezultat të arsyeshëm. Nuk ka marrëveshje mes palëve, kështuqë unë personalisht mund të arrij në përfundimin e vetëm se nuk mbetet më asgjë për t’u bërë përsa i takon një zgjidhjeje përmes negociatash, sepse palët thjesht nuk janë të gatshme të bien dakord për ndonjë zgjidhje të mundshme.

Zëri i Amerikës: Rusët kanë kërkuar bisedime të mëtejshme. A është kjo një alternativë?

Amb. Frank Wisner: Nuk jam i befasuar nga kjo por unë mund të shpreh vetëm pikëpamjen time që ne kemi shqyrtuar çështjen nga të gjitha anët dhe nuk ka hapërirë për asnjë marrëveshje.

Zëri i Amerikës: Cili do të jetë hapi tjetër?

Amb. Frank Wisner: Hapi i mëtejshëm është që Sekretari i Përgjithshëm të lexojë raportin dhe pastaj do të ketë një diskutim në Këshillin e Sigurimit dhe më pas qeveritë sovrane do të përcaktojnë qëndrimet e tyre. Jam i sigurt që qeveritë do të duan pak kohë për të reflektuar, kështuqë ajo që mund të them nga ana ime është se ne e kemi bërë punën tonë, bëmë një punë të mirë, patëm bashkëpunim të plotë nga të dyja palët, por nuk ka zgjidhje përmes negociatash.

Zëri i Amerikës: Si do të anashkalohej Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit për të vendosur në Kosovë një mision të Bashkimit Evropian?

Amb. Frank Wisner: Këtë pyetje më mirë të ma bëni kur t’i mbarojë afati treshes. Treshja i zhvilloi negociatat duke pasur parasysh në çdo moment parimet e rezolutës 1244 dhe parimet udhëheqëse të Kontaktit të Grupit. Ato përbënin bazën e punës sonë dhe nuk besoj se ka njeri që të dojë të dalë jashtë 1244-ës në hapat që do të merren në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Pra problemi është se si të gjendet një bazë ligjore për këtë mandat?

Amb. Frank Wisner: Kjo është një pyetje që i kapërcen përgjegjësitë e mia si negociator amerikan dhe si anëtar i treshes.

Zëri i Amerikës: Mendoni se plani Ahtisaari është kthyer përsëri në lojë?

Amb. Frank Wisner: Përsëri kjo është një pyetje që i duhet bërë secilës qeveri, por unë do të thoja që nuk kishte dalë ndonjëherë jashtë loje. Gjatë procesit të negociatave të treshes, pala serbe e kishte hedhur poshtë, pala kosovare e kishte pranuar propozimin Ahtisaari, i cili është në tryezë dhe përbën një rrugë të qartë përpara.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, a shihni një sens urgjence për një zgjidhje në Kosovë? A ekziston rreziku për dhunë apo mendoni se këto janë ekzagjerime?

Amb. Frank Wisner: Unë kam besuar gjithnjë dhe e kam shprehur vazhdimisht në çdo forum që kam marrë pjesë gjatë këtyre viteve me negociata, që status-quo-ja nuk mund të vazhdojë. Statusi përfundimtar për Kosovën duhet të përcaktohet. //kk//

XS
SM
MD
LG