Era prodhon më shumë energji në Teksas sesa kudo tjetër në Shtetet e Bashkuara. Në materialin e serisë në kërkim të zgjidhjeve, ju njohim tani me një projekt të ri të rëndësishëm i cili është në krijim e sipër.
Roscoe, në pjesën perendimore të Texasit, ka qënë një qytet i vogël, disi i fjetur. Por në mes të fushave me pambuk dhe misër që rriten këtu, po ngrihen qindra gjeneratorë ere. Ndërtuesi Patrick Woodson: "Nga ky projekt do të furnizohen me energji më shumë se 40 mijë shtëpi". Woodson punon për kompaninë Airtricity që rigjeneron energjinë.
Kompania po ndërton një fermë me gjeneratorë të erës që do të shtrihet në një sipërfaqe prej më shumë se 10 mijë hektarë. Secili nga mullinjtë 120 metra të gjatë do të prodhojë energji të mjaftueshme për 750 shtëpi.
Tom Kleckner punon për kompaninë energjitike në Teksas që ka rënë dakort të blejë energji nga kjo fermë në Roscoe. "Njëqind vjet më parë mullinjtë e erës përdoreshin këtu për të nxjerrë ujin nga toka për të ushqyer bagëtitë. Tani ne po përdorim të njëjtën erë për të krijuar energji për kompjuterat, telefonat, televizorët dhe të gjitha pajisjet e tjera moderne që ka shtëpia sot".
Zyrtarët shtetërorë dhe të industrisë thonë se rreth dy përqind e energjisë së përdorur në Teksas vjen nga era. Projekti i ri do të fillojë nga puna në dhjetor. Përsëri Patrick Woodson: "Mendoj se era është një pjesë e rëndësishme e prodhimit të ardhshëm të energjisë. Kemi kërkesa për nivelin e tanishëm të energjisë që prodhojmë por po ashtu Teksasi po zgjerohet dhe kjo është një nga mënyrat e pakta që nuk ndot ambjentin dhe është njëkohësisht ekonomike".
Secila nga turbinat e mëdha kushton gati tre milion dollarë. Por zyrtarët shtetërorë të energjisë thonë se në një periudhë afatgjatë fermat e mullinjëve me erë do të provojnë se ja vlejnë të ndërtohen megjithë koston e lartë të fillimit. "Është mirë të jesh në pozicionin ku mund të ndihmosh njerëzit të ndryshojnë mënyrën sesi i shohin nevojat e energjisë". Shoqata Amerikane e Energjisë së Erës thotë se turbinat gjigande të erës si këto tani prodhojnë më pak se një përqind të energjisë në Amerikë, por deri në vitin 2020 kjo shifër do të shkojë në 6 përqind. //rd//