Lidhje

Kosovë: Mijëra në Prishtinë kërkojnë shpalljen e pavarësisë


Mijëra protestues kërkuan sot në Prishtinë shpalljen e pavarësisë dhe njohjen e saj ndërkombëtare, ndërsa udhëheqësit politikë të Kosovës thanë se kjo do të ndodhë shumë më herët sesa muaji maj i vitit të ardhshëm. Dita e sotme që nga vera e këtij viti ishte caktuar si datë e përmbylljes së negociatave shtesë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për statusin e Kosovës të drejtuara nga treshja e grupit të kontaktit të cilat përfunduan më 28 nëntor pa ndonjë marrëveshje.

Të premten treshja i dorëzoi sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara një raport mbi këto bisedime ku shprehet keqardhja që nuk u arit asnjë marrëveshje. Më 19 dhjetor raporti pritet të debatohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Mijëra protestues në Prishtinë marshuan nëpër qendrën e qytetit me flamuj shqiptarë e amerikanë dhe parulla ku kërkohej njohja e pavarësisë së Kosovës. Ardian Bajraktari nga organizatorët e protestuesve tha se tash është koha kur Prishtina duhet të marrë vendimet e saj për të ardhmen e Kosovës. "Ne kërkojmë të drejtën tonë legjitime, kërkojmë shpalljen e pavarësisë së Kosovës”, tha ai.

Për ekipin e negociuesve të Kosovës dita e sotme shënon përfundimin e çdo negociate për statusin e dhe fillimin e këshillimeve me partnerët ndërkombëtar rreth hapave që Kosova duhet të bëjë për shpalljen e pavarësisë dhe njohjes së saj ndërkombëtare.

Zëdhënësi i këtij ekipi Skënder Hyseni, tha se askush dhe në asnjë mënyrë nuk do të mund të zvarrisë më këtë proces që patjetër do të çojë Kosovën drejtë pavarësisë, e cila tha ai do të shpallet shumë më herët se muaji maj i vitit që po vjen. “Prej sot Kosova do të fillojë konsultime intensive me partnerët kyç ndërkombëtarë me qëllim të koordinimit të hapave për shpalljen e pavarësisë dhe për bërjen e kërkesës zyrtare për njohje të kësaj pavarësie”, tha zoti Hyseni.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i ka shkruar një letër kryesuesit të radhës së Këshillit të Sigurimit me kërkesën që edhe Kosovës t'i mundësohet paraqitja e pikëpamjeve të saj në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të 19 dhjetorit, ku do të debatohet për raportin e Treshes.

Beogradi ndërkaq ka kërkuar që Prishtinës të mos i lejohet të flasë në këtë takim. Zyrtarët serbë të mbështetur edhe nga Moska kërkojnë vazhdimin e negociatave duke hedhur poshtë çdo mundësi për pavarësimin e Kosovës. Prishtina ndërkaq pavarësinë e cilëson të panegociueshme ndërsa procesin dyvjeçar të bisedimeve si dëshmi se negociatat me Beogradin nuk mund të sjellin asnjë rezultat. //ad//

XS
SM
MD
LG