Lidhje

Rusi: Kasparov heq dorë nga kandidatura për zgjedhjet presidenciale


Udhëheqësi i opozitës ruse dhe ish kampioni botëror i shahut Geri Kasparov hoqi dorë nga kandidatura e tij për zgjedhjet presidenciale. Një ndihmës i zotit Kasparov tha se ishte teknikisht e pamundur që kreu i opozitës të kandidonte për shkak se autoritetet nuk i kishin lejuar përkrahësit e zotit Kasparov ta votonin emrin e tij.

Ndihmësi tha se përkrahësit e zotit Kasparov nuk kishin mundur të gjenin një vend ku të mblidheshin dhe ta emëronin atë si kandidat. Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi sot se presidenti Vladimir Putin nuk do ta marrë vendin në parlamentin e ardhshëm rus, megjithëse emri i tij doli në krye të listës së partisë Rusia e Bashkuar në zgjedhjet e këtij muaji.

Zyrtarët thanë se zoti Putin ia kaloi mandatin e vet anëtarit të Rusisë së Bashkuar Sergei Kapkov nga rajoni Magadan. Zoti Putin do të duhej të hiqte dorë nga presidenca për të marrë postin në parlament. Në lajme të tjera, kreu i Partisë Liberal-Demokrate ruse, Vladimir Zhirinovski, hodhi sot kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale që do të zhvillohen me dy mars.//lk

XS
SM
MD
LG