Lidhje

Udheheqësit e BE-së miratojnë në parim misionin e sigurisë për Kosovën


Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord në parim për dërgimin e një misioni policor dhe sigurimi në Kosovë. Kryeministri i Portugalisë, Jose Socrates, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të BE-së, tha se udhëheqësit në takimin e nivelit të lartë në Bruksel, ranë dakord të dërgojnë një personel prej 1800 vetësh për të zëvendësuar administratën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Ai tha se udhëheqësit u rezervuan të mbështesnin shpalljen e njëanëshme të pavarësisë nga shumica shqiptare, duke theksuar se kjo çështje i përket Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Disa nga vendet anëtare të BE-së, si Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia kanë nguruar të përqafonin plotësisht kërkesën e shumicës shqiptare për pavarësi, duke shprehur shqetësim se mund të ndizte lëvizje separatiste gjetkë. Por Presidenti i Francës, Nikola Sarkozi tha se pavarësia e Kosovës është e pashmangshme. Autoritetet serbe i kanë ofruar Kosovës autonomi të gjerë, por këmbëngulin që ajo të jetë nën sovranitetin serb, ndërkohë që shqiptarët kërkojnë pavarësi të plotë.

Kosova ishte ndër temat kryesore sot në takimin e udhëheqësve të Bashkimit Evropian në Bruksel. Megjithë hedhjen e një hapi të rëndësishëm përpara në njëjtësimin e qëndrimit evropian ndaj Kosovës, Evropa ende nuk ka arritur unanimitet. Presidenti i Parlamentit Evropian Hans-Gert Potering theksoi se ka ardhur koha që Evropa të jetë e bashkuar në mbështetje të pavarësisë së Kosovës:

"Këshilla ime do të ishte që vendet anëtare të Bashkimit Evropian të jenë të bashkuara në mbështetje të vet-vendosjes për Kosovën. Por gjithashtu këshilloj të gjitha palët të tregohen të prera në ndjekjen e parimeve, por elastike në procedura dhe nuk duhet të harrojmë se në Serbi do të ketë zgjedhje në janar, dhe ky është një tjetër fakt që duhet marrë parasysh," tha zoti Potering.

Brenda BE-së, Qiproja mbetet kundërshtarja më e fortë e pavarësisë së Kosovës dhe dërgimit të misionit policor dhe të sigurimit prej 1 mijë e 800 trupash. Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana mbështet gjetjen e një zgjidhjeje pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare në Serbi:

"Ne jemi shumë të kënaqur dhe mbështesim vendimin e Presidentit të Serbisë Tadiç për zhvillimin e zgjedhjeve dhe siç e dini ne besojmë se duhen mbyllur tani edhe fazat e fundit të çështjes së Kosovës," tha zoti Solana.

Presidenti i Serbisë Boris Tadiç ka kërkuar që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 20 janar, por partia e kryeministrit serb Vojisllav Koshtunica kërkoi shtyrjen e zgjedhjeve deri sa të zgjidhet çështja e Kosovës.

Kryeministri Sali Berisha dje në Bruksel i bëri thirrje Serbisë të heqë dorë nga pretendimet kolonialiste, siç i cilësoi ai: "Serbia duhet ta kuptojë se nuk mund të arrijë përparim nëse këmbëngul në qëndrimin si fuqi kolonialiste në rajon. Kjo çështje lidhet me qëndrimin e saj kolonialist dhe agjë tjetër," tha kryeministri Berisha."

Ndërkaq, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov përsëriti sot në Moskë qëndrimin e Rusisë, që zgjidhja e çështjes së Kosovës duhet të bëhet në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe duhet të gëzojë edhe mbështetjen e serbëve.

"Ne po na kërkohet të mos përfillim ligjin ndërkombëtar, rezolutën e Këshillit të Sigurimit dhe deklaratat e OSBE-së, por nga ana tjetër duhet të mos marrim në konsideratë as faktin që në Kosovë jetojnë jo vetëm shqiptarë, por edhe serb," tha shefi i diplomacisë ruse.

Udhëheqësit evropianë kanë nënvizuar nevojën për t’i parashtruar një ofertë Serbisë në mënyrë që të pranojë pavarësinë e Kosovës. Por ministri i jashtëm serb Vuk Jeremiç tha në Beograd se anëtarësimi i Serbisë në BE nuk është kompensim për shkëputjen e Kosovës: "Qeveria aktuale serbe nuk mendon se çështja e Kosovës dhe çështja e të ardhmes evropiane të Serbisë nuk janë të kompensueshme. Me fjalë të tjera shkëmbimi i territorit serb për antarësim në BE është jashtë diskutimit," tha zoti Jeremiç.

Çështja e Kosovës ishte tema mbizotëruese e takimit të udhëheqësve evropianë, në një kohë që Bashkimi përpiqet të dalë me një politikë të jashtme të bashkërenduar në mënyrë që të rrisë rolin e tij në arenën ndërkombëtare. Më 19 dhjetor Këshilli i Sigurimit do të diskutojë raportin e treshes ndërmjetësuese mbi Kosovën. //ad//

XS
SM
MD
LG