Lidhje

Kina, tregu më i madh botëror i turizmit të brendshëm


Zyrtarët kinezë thonë se kanë tregun më të madh të turizmit të brendshëm në botë. Organizata Botërore e Tregtisë thotë ndërkohë se Kina do të bëhet destinacioni numër një në botë për turizmin ndërkombëtar deri në vitin 2020. Ndërsa zhvillimi ekonomik zgjeron klasën e mesme të Kinës, ai sjell të njëjtin efekt edhe në kërkesat për destinacione të reja.

Qyteti i Pekinit dhe pika të tjera në Kinë tërheqin turistë nga mbarë bota. Por vetë kinezët përbëjnë shumicën e vizitorëve në vendin e tyre. Zyra kombëtare e Turizmit regjistroi më shumë se një miliardë vizitorë të brendshëm në vitin 2006. Kjo do të thotë se industria e turizmit të brendshëm në Kinë është gati dyfishuar vetëm në këtë dekadë. Pikat tërheqëse si Sheshi Tiananmen dhe Tempulli i Qiellit në Pekin janë ikona kombëtare. Për kinezët e moshuar ky është udhëtim i pashlyer nga kujtesa. 58-vjeçari Zhao Zhengling vjen për herë të parë në kryeqytetin e vendit.

"Pekini është trashëgimia historike e vendit tonë. Ka tepër histori këtu. Nëse nuk e sheh Pekinin një herë në jetën tënde ke humbur shumë."

Të ardhurat në Kinë po shtohen, së bashku me to edhe koha e lirë për klasën e mesme. Kinezët më të rinj në veçanti shohin më tutje për destinacionet e pushimeve të tyre. Këta turistë kanë ardhur në shkretëtirën Dunhuang, një ndër vendbanimet në rugën e mëndafshit. Ata kanë përshkuar me deve gati një mijë e 800 kilomentra rrugë nga Pekini. Drejtuesi i grupit turistik Zhou Haijun thotë se gjithnjë e më shumë njerëz kërkojnë të ndjejnë hapësirat e natyrës.

"Më parë njerëzve u pëlqenin kushtet e rehatshme në hotele. Tani ka më shumë njerëz të cilëve u pëlqen të afrohen me natyrën, të jenë pranë saj. Ky koncept ka ardhur nga ata që e duan dhe kujdesen për ambjentin. Thellë në dunat e rërës në Kumtag, shkretëtira e gjashtë më e madhe në Kinë, ky grup turistësh po shijojnë shkëputjen nga bota e qytetëruar."

Dunghuang dhe qytete të tjera të largëta ofrojnë një mundësi të veçantë për t’u qetësuar.

"Të gjithë kanë dëgjuar për Murin e Madh dhe ka shumë njerëz që shkojnë atje. Doja të dija si do të ndjehesha në shkretëtirë. Perëndimi i diellit, pemët... është mahnitëse.", thote Zhou.

Këto duna janë ende jashtë destinacioneve kryesore turistike, por nuk nuk do të mbeten për një kohë të gjatë.

Ekonomistët llogarisin se industria e turizmit të brendshëm në Kinë do të vazhdojë të rritet së bashku me ekonominë e saj. //ii

XS
SM
MD
LG