Lidhje

Shitjet e veshkave – a duhen lejuar ato në Shtetet e Bashkuara?


Shitjet e veshkave janë të ligjëshme në Iran dhe këto shitje ndodhin në vende të tjera ku teknikisht nuk lejohen. Tani, një kirurg i njohur amerikan po bën thirrje që shitja e veshkave të lejohet me ligj në Shtetet e Bashkuara.

Dominik Louson është dy vjeç. Ai ka lindur me veshka të sëmura, prandaj çdo 48 orë, nëna e tij Kelly Lawson e sjell atë në spital për dializë.

“Për sa kohë që jam këtu, unë do të kërkoj në gjithë botën për të gjetur një veshkë për djalin tim,” shprehet nena e Dominikut.

Dominik e ka emrin në listën e atyre që presin për veshkë të dhuruar, por pritja është aq e gjatë sa shumë njerëz vdesin derisa t’u vijë radha. Disa mjekë thonë se për zgjidhjen e këtij problemi nevojitet një ndryshim i thellë. Doktor Arthur Matas ka qënë kryetar i shoqatës amerikane të kirurgëve që kryejnë transplantime të organeve.

“Të blesh veshka duket si një veprim i gabuar, derisa kupton se nëse nuk ndërmerret një hap dramatik ne do të vazhdojmë të ndeshemi me gjendjen ku jeta e pacientëve bëhet më e vështirë dhe ata vdesin në dializë.”

Por Shtetet e Bashkuara dhe shoqatat kryesore mjekësore, si Fondacionin kombëtar për Veshkat, janë kundër shitjes së këtij organi. Doktor Gabriel Danoviç, një tjetër kirurg i njohur, shpjegon.

“Në se lejohet shitja e veshkave në Shtetet e Bashkuara, ata që i shesin do të jenë njerëzit më të pambrojtur mes nesh, të cilët të nxitur nga ideja për të fituar me çdo kusht, mund të mos thonë të vërtetën rreth së kaluarës së tyre shëndetsore ose të veshkës që duan të shesin”.

Por një gjë për të cilën kirurgët janë dakord është nevoja për veshka. Doktoresha Dorey Segev punon në qëndrën mjekësore të universitetit Xhons Hopkins.

“Gjithnjë e më shumë njerëz po preken nga sëmundjet në veshka, gjithnjë e më shumë prej tyre po bëhen kandidatë për transplantim.”

Doktor Matas thotë se qeveria federale duhet të vendosë rregulla për këto shitje dhe t’u kërkojë shitësve të bëjnë një kontroll të plotë fizik e psikologjik para fillimit të çdo procedure, dhe pastaj të vihen nën kontrollin dhe kujdesin e mjekut. Doktor Matas argumenton se ndërsa është e lejueshme për të blerë e shitur gjak, spermë e vezë njeriu, përse në to të mos përfshihen edhe veshkat? Sipas doktor Matas, një transplantim veshke shmang koston e lartë financiare të dializës dhe të kujdesit mjekësor afatgjatë.

“E vetmja mënyrë për të parë nëse një sistem i tillë do të sjellë rezultate të mira, është krijimi i një projekti eksperimental”.

Tani për tani ekziston pak mbështetje për të ndryshuar ligjin dhe për të lejuar shitjen e veshkave në Shtetet e Bashkuara, por doktor Matas këmbëngul për vazhdimin e diskutimeve dhe kërkimeve që mund të shpëtojnë jetën e mijëra njerëzve. //ii

XS
SM
MD
LG