Lidhje

Shala: Tani e tutje, Prishtina, Brukseli dhe Uashingtoni do t'i koordinojnë veprimet


Të mërkurën më 19 dhjetor, Këshilli i Sigurimit do të diskutojë lidhur me raportin e Treshes Ndërkombëtare, pas përfundimit të negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit, mbi statusin e Kosovës. Para Këshillit të Sigurimit do të flasë këtë herë edhe Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Pas dështimit të negociatave, pala shqiptare ka thënë se do të shpallë pavarësinë në mënyrë të njëanshme por të bashkërenduar me Uashingtonin dhe Brukselin. Por është ende e paqartë koha, dhe faktorët që mund të luajnë rol në të. Për të biseduar për këto çështje, Zëri i Amerikës kishte të ftuar për një bisedë telefonike nga Prishtina, analistin Blerim Shala, i cili ka qenë edhe bashkërendues i grupit negociator të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Shala, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të debatojë të mërkurën për raportin e treshes së Grupit të Kontaktit lidhur me bisedimet e dështuara ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Siç e theksuam pak me pare, zyrtari i larte i Departamentit të Shtetit tha se çështja e Kosovos nuk pritet të zgjidhet përmes Këshillit të Sigurmit. Çfarë hapash pritet të ndërmarrë klasa politike e Kosovës pas 19 dhjetorit?

Blerim Shala: Po kryesorja është, që edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit që do të mbahet të mërkurën, të konstatohet që procesi i Treshes së Grupit të Kontaktit, është rrumbullakësuar me dështim, fatkeqësisht jo me fajin tonë, të palës kosovare; po ashtu, siç ka theksuar edhe zoti Fried, mundësia e konkludimit të çështjes së Kosovës përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së është inekzistente, prandaj duhet të kthehemi në konceptin, që tashmë ka marrë edhe shkurtimin CDI, apo deklarimi i koordinuar i pavarësisë së Kosovës, ku Prishtina dhe Perëndimi, apo Prishtina në emër të Kosovës, BE dhe SHBA së bashku, do të koordinojnë shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Përsa i përket pyetjes suaj konkrete, mendoj, që në periudhën e ardhshme, elita politike kosovare i ka tri obligime imediate: së pari ta përfundojë draftimin e Kushtetutës së shtetit të Kosovës, së dyti, që t’i përmbyllë të gjitha ligjet nga pakoja e Presidentit Ahtisaari, dhe së treti, të bëjë përzgjedhjen e tri simboleve, tre flamujve dhe stemave, që do t’i drejtoheshin Kuvendit të Kosovës për t’i drejtuar në Mbledhjen solemne, kur do të bëhet edhe shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Shala, udhëheqësit politikë të Kosovës, kanë paralajmëruar për veprime të njëanshme për shpalljen e pavarësisë. Kur pritet në fakt një vendim i tillë? Disa analistë janë shprehur që ai mund të lidhet me zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale në Serbi. Ku bazohen mendime të tilla?

Blerim Shala: Mendoj se së bashku, Prishtina, Brukseli dhe Washingtoni, në periudhën e ardhshme do t’i koordinojnë të gjitha veprimet; e përmenda një herë, që i kemi tri detyra imediate, që na presin në javët e ardhshme; gjithashtu, gjatë muajit janar do të shohim së bashku, se kur është momenti i duhur i bërjes publike i vendimit të Kuvendit të Kosovës. Po ashtu në përfundim të takimit të BE-së që u mbajt javën e kaluar në Bruksel, po ashtu është theksuar, që zoti Solana, në emër të BE-së, do të kontaktojë me autoritetet më të larta të Prishtinës dhe të Nju Jorkut, dmth-të të autoriteteve vendore të Kosovës, të UNMIK-ut, po ashtu edhe të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Munit, që të arrihet deri në momentin e vendimit që të dërgohet misioni i BE-së për forcimin e ligjit dhe të rendit në Kosovë, i ISCO-s, zyra civile ndërkombëtare dhe që së bashku të përgatitemi për vendimin e rishpalljes së pavarësisë së Kosovës. Gjithnjë kemi të bëjmë me një koordinim intensiv; nuk është e thënë që do të pritet një ngjarje e veçantë jashtë Kosovës; gjithshka varet nga aftësia jonë që të përgatitemi për momentin e duhur, dhe së bashku do të vlerësojmë se kur është ai momenti kritik, më i rëndësishëm, që Kosova ta shpallë pavarësinë dhe që shteti i Kosovës të njihet nga Perëndimi.

Zëri i Amerikës: Zoti Shala, tashmë që bisedimet me palën serbe përfunduan, çdo të ndodhë me grupin e unitetit? Do të vazhdojë të ekzistojë, apo do të shkrihet?

Blerim Shala: Po siç jemi marrë vesht në muajin gusht të këtij viti, Grupi i Unitetit do të ekzistojë deri sa të zëvendësohet me një strukturë të ngjashme. Mendojmë se tani nuk ka përse të ekzistojë, meqenëse bisedimet kanë përfunduar, apo deri në krijimin e qeverisë së Kosovës, e cila do të marrë përgjegjësitë, përsa i përket Kushtetutës, legjislacionit dhe simboleve. Në të vërtetë, këto janë çështje që do t’i vendosë Kuvendi i Kosovës, por qeveria e Kosovës, gjithashtu e ka një detyrë shumë të veçantë në këtë aspect; prandaj, ne të gjithë besojmë që Grupi i Unitetit e ka përbyllur suksesshëm misionin e tij, që ka mbërritë deri një hap larg pavarësisë së Kosovës, ndërsa vendimi final në këtë aspekt i përket Kuvendit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Shala, sot është bërë një muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë dhe ende nuk kanë përfunduar negociatat për qeverinë e re. A ju duket se Prishtina po tregohet e vonuar me krijimin e institucioneve, duke patur parasysh periudhën në të cilën ndodhet vendi?

Blerim Shala: Po mendoj që me të drejtë, spikat një urgjencë për krijimin e qeverisë së re të Kosovës, megjithëse, realisht, nuk kanë kaluar një muaj nga shpallja, apo certifikimi i rezultatit zyrtar të zgjedhjeve. Kemi të bëjmë me bisedime, që realisht kanë filluar të hënën e kaluar, por të gjithë ne shpresojmë, se jo më larg se brenda një jave, apo 10 ditësh, apo pas kthimit të zotit Sejdiu dhe zotit Thaçi nga vizita e tyre zyrtare në OKB, do ta kemi qeverinë e re të Kosovës, e cila siç u prononua edhe më herët, do të jetë partner i Perëndimit edhe për përgatitjen e të gjitha dokumentave relevante, për krijimin e shtetit të Kosovës, për shpalljen e shtetit të Kosovës, dhe natyrisht, edhe njohjen e tij dhe implementimin e pakos Ahtisari, e cila do të jetë e domosdoshme.

Zëri i Amerikës: Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës janë shprehur, se në se Prishtina vetëshpall pavarësinë, ata do të kundërpërgjigjen. Sa realiste është të ndodhë kjo?

Blerim Shala: Kërcënimet janë realiste, duhet të themi. Nuk presim gjë as nga Beogradi, as nga liderët serbë në veri të Kosovës, por tani janë bërë vijat ndraëse. Tani ne jemi bërë me një bashkëpunim intensiv midis Kosovës, BE-së dhe SHBA-së nga njera anë, ndërsa në anën tjetër kemi të bëjmë me relacionet e afërta midis Serbisë dhe Rusisë. Ne i takojmë Perëndimit, ne i takojmë Evropës, po shihet se kush ka realisht politikë dhe qajse perëndimore në Ballkan. Dhe zakonisht, gjithmonë, politika të tilla janë treguar të suksesshme, megjithë problemet eventuale që kanë lindur ndërkohë. Prandaj, jemi të bindur, se shteti i Kosovës do të njihet së shpejti, dhe që do të fillojë të funksionojë së mbari.

XS
SM
MD
LG