Lidhje

Thaçi nga Nju Jorku: Është koha të merret vendim për Kosovën


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili pritet të jetë kryeministri i ardhshëm i vendit, thotë se një nga detyrat kryesore të qeverisë së tij do të jetë respektimi i të drejtave të pakicave. Zoti Thaçi, i cili ndodhet në Nju Jork për mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për çështjen e Kosovës, thotë se kjo mbledhje ka rëndësi historike për vendin e tij. Ai thekson se është koha të merret një vendim për Kosovën, duke shtuar se pavarësia do të shpallet në bashkërendim me Uashingtonin dhe Brukselin.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, a mendoni se mbajtja e kësaj mbledhjeje të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka ndonjë vlerë në kushtet kur qëndrimet e palëve dihen tashmë, dhe për më tepër, kur palët i kanë ngurtësuar më shumë këto qëndrime? E kam fjalën për Prishtinën dhe Beogradin.

Hashim Thaçi: Mbledhja e Këshillit të Sigurimit ka rëndësi të jashtëzakonshme, madje edhe historike për arsye se Këshilli i Sigurimit do të jetë përfundimisht i qartë në vendimin e tij dhe në procesin që po kalojmë. Pra do të qartësohet pozicioni i Këshillit të Sigurimit dhe shumicës së vendeve anëtare të këtij këshilli. Ne, sot, kemi pasur takime të vazhdueshme me shumicën e këtyre vendeve. Kemi pasur takime që kanë rezultuar në mirëkuptimin e pozicionit kosovar për një shtet të pavarur dhe sovran. Unë dua të besoj se pozicioni që do të paraqitet nga pala kosovare do të mirëpritet dhe mbështetet fuqishëm nga vendet më të rëndësishme, dhe se Kosova do të fillojë procesin e njohjes ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Ju vini në postin e kryeministrit në një kohë kur jeni nën presionin e perëndimit për të koordinuar hapat drej shpalljes së pavarësisë, dhe nga ana tjetër presionin e qytetarëve të Kosovës të cilët kërkojnë veprime më të shpejta. A ndjeheni në pozitë të vështirë?

Hashim Thaçi: Edhe unë jam në favor të veprimeve të shpejta. Kosova nuk ka më kohë për të humbur. Është koha për vendim. Ne jemi unik dhe shumë të përgatitur. Kemi përgatitur edhe kushtetutën, edhe simbolet. Jemi zotuar për respektimin e të drejtave të pakicave në kuptimin më afirmativ dhe mund të them se me ato garanci që kemi dhënë për respektimin e të drejtave të pakicave, dhe sidomos të serbëve, ndoshta jemi vendi që respektojmë më së tepërmi pakicat në Evropë. Në këtë kuadër, dua të theksoj se e kuptoj padurimin dhe presionin e brendshëm për shpalljen e pavarësisë sa më të shpejtë që është e mundur. Në të njëjtën kohë, i mirëkuptoj edhe angazhimet për veprime të koordinuara mes autoriteteve të Prishtinës dhe Uashingtonit e Brukselit. Por, nga ana tjetër jemi nën kërcënimin e krijimit të situatave problematike nga Serbia. Unë kam besim se ne do të arrijmë t’i menaxhojmë plotësisht të tre këto përkushtime dhe se Kosova do ta marrë vendimin për pavarësi në kohën e duhur. Pastaj do të kemi njohje ndërkombëtare nga bota demokratike, njohje kualitative të domosdoshme të fuqive të mëdha si dhe njohjen e domosdoshme numerike.

Zëri i Amerikës: A janë reale parashikimet se elementët ekstremistë në Kosovë mund të rigjallërohen dhe mund t’i kundërvihen qeverisë suaj nëse planet për shpalljen e koordinuar të pavarësisë shtyhen për arsye të ndryshme, për shembull, për arsye që kanë të bëjnë me marrëdhëniet mes perëndimit dhe Rusisë?

Hashim Thaçi: Për pavarësinë e Kosovës nuk do të ketë shtyerje. Negociatat kanë përfunduar. Po ndodh qartësia e plotë edhe e atyre që kanë hezituar apo kanë pasur paqartësi deri në këtë moment. Tani çështja shtrohet se kur dhe si do të ndodhë kjo. Për kohën kemi rënë dakort me fuqitë e mëdha dhe kjo marrëveshje do të respektohet. Kjo garanton sukses për Kosovën, për paqen dhe stabilitetin në rajon. Ndërsa, për sa i përket pyetjes suaj konkrete në lidhje me elementë radikalë apo të tjerë, mund të them se dy milionë qytetarë të Kosovës janë pro pavarësisë së saj. Ky është vullneti dhe merita e tyre. Prandaj pavarësia nuk është çështje e kategorizimit të grupeve të shoqërisë kosovare. Ne duhet të ndërtojmë një Kosovë të pavarur, sovrane, demokratike dhe shumëetnike. Vend në të cilin do të jetojnë të gjithë qytetarët pa dallim të përkatësive etnike. Kosova do të garantojë siguri, paqe dhe stabilitet, por dhe zhvillim ekonomik dhe hapje të perspektivës së sigurt për integrim në strukturat e Bashkimit Evropian dhe në NATO. Pavarësia e Kosovës sjell edhe fqinjësi të mirë. Tani kemi raporte të shkëlqyera edhe me Malin e Zi, Maqedoninë dhe Shqipërinë dhe në të ardhmen e afërt edhe me Serbinë.

Zëri i Amerikës: Ditët e fundit ju keni bërë deklarata të shumta për të qetësuar serbët e Kosovës se ata nuk duhet të kenë frikë të jetojnë në Kosovë. Si kryeministër, çfarë i ofroni ju konkretisht pakicës serbe, aq më tepër që ajo është nën një ndikim mjaft të fortë të Beogradit?

Hashim Thaçi: Të drejtat e pakicave, ashtu si të gjithë qytetarëve të Kosovës, janë të garantuara me ligj dhe me kushtetutë. Unë zotohem se do t’i respektoj maksimalisht në kuptimin e afirmimit të të drejtave të tyre, të integrimit të tyre në jetën e re në Kosovë, në shtetin e ri të Kosovës dhe në parlament. Zotohem gjithashtu se ata do të jenë pjesë e qeverisë që do të udhëheq. Do të jem kryeministër i të gjithë qytetarëve të vendit, të punoj për të mirën e të gjithëve dhe dua të theksoj përsëri se sot patriotizmi më i madh i çdo shqiptari është respektimi i të drejtave të pakicave. Dhe nëse respektohen dhe garantohen të drejtat e tyre për të jetuar në shtëpitë dhe pronat e tyre atëherë jemi të sigurt se do ta kemi përkrahjen si shtet prej të gjitha vendeve më me ndikim në botë, edhe prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe prej Bashkimit Evropian. Do të kemi mirëkuptim të gjerë ndërkombëtar, sukses në preocesin e zhvillimit, jetës më të mirë dhe integrimit të shpejtë të Kosovës në strukturat euroatlantike.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, shumë njerëz i kanë drejtuar sytë nga ju për ta parë se si do ta trajtoni çështjen e Mitrovicës veriore dhe të Kosovës veriore, të cilat efektivisht kanë qenë jashtë kontrollit të qeverisë, madje edhe të UNMIK-ut. A keni plane konrete ju?

Hashim Thaçi: Unë Kosovën e trajtoj si tërësi dhe punoj në tërësi për zgjidhjen e problemeve që ekzistojnë. Veriu i Mitrovicës është çështje e rëndësisë së veçantë. Institucionet legjitime të Kosovës do të ushtrojnë autoritetin e tyre në tërë territorin e Kosovës. Tani ne kemi një kryetar komune të shkëlqyeshëm, zotin Bajram Rexhepi. Populli i Mitrovicës i ka besuar atij integrimin dhe bashkimin e qytetit të Mitrovicës. Ai ka edhe përkrahjen time të plotë si kryeministër i Kosovës, dhe përkrahjen e Uashingtonit dhe Brukselit në këtë drejtim. Besoj se së bashku me ndërkombëtarët dhe me zotin Rexhepi do të bëjmë punën më të mirë të mundshme në mënyrë që qyteti i Mitrovicës të jetë qytet i integrimit, i afrimit, ku njerëzit të jetojnë në shtëpitë dhe pronat e tyre si në jug ashtu edhe në veri. Pra, Kosova do të jetë e pavarur dhe e bashkuar dhe integriteti territorial i Kosovës është i pacënueshëm, i respektuar dhe i garantuar edhe prej komunitetit ndërkombëtar.

Zëri i Amerikës: Sa vështirësi mund t’i shkaktojë Kosovës një bojkotim apo një bllokadë e Beogradit në rastin e shpalljes së pavarësisë?

Hashim Thaçi: Ka tendenca nga Serbia të imitimit të modeleve ruse në raport me vendet e ish Bashkimit Sovietik ku janë vënë bllokada të tilla, por dua të theksoj se Kosova është e gatshme dhe ka zotësinë politike, institucionale, shtetërore dhe qytetare për t’i përballuar këto sfida dhe probleme që mund të dalin sidomos me energjitikën, ujin apo provokimet eventuale të lidhura me incidente të ndryshme ndëretnike. Ne nuk do t’i lejojmë këto. Do të veprojmë bashkarisht me komunitetin ndërkombëtar, me autoritetet civile ndërkombëtare dhe me NATO-n. Unë kam besim të plotë se, ashtu siç ka vepruar deri tani bota demokratike, Uashingtoni dhe Brukseli, kur ka ndërmarrë dy vendime të rëndësishme për lirinë e Kosovës dhe zhvillimin e demokracisë, pra vendimi për bombardimin e Serbisë, dhe vendimi për dërgimin e trupave të saj në Kosovë, edhe tani, do të merret vendimi për njohjen e plotë ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, dhe të funksionimit të saj si tërësi, si vend unik dhe popull i bashkuar.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, kur prisni të krijohet qeveria e re? A mos po vonoheni me krijimin e qeverisë së re, sidomos tani në periudhën kritike që po kalon Kosova?

Hashim Thaçi: Negociatat për formimin e qeverisë së re kanë përfunduar. Kemi arritur marrëveshje me partitë politike që ato të kthejnë përgjigje në lidhje me parimet tona bazë. Disa prej partive politike i kanë kthyer tashmë përgjigjet. Ato do të respektohen. Natyrisht që me kthimin tonë në Prishtinë do të kemi edhe formulën qeverisëse që do të garantojë një qeverisje cilësore, shumëetnike dhe që i hap perspektivë vendit dhe gjithë qytetarëve. Autoritetet jo-serbe të pakicave e kanë siguruar përfaqësimin e tyre dhe dy grupet politike serbe kanë shprehur gatishmërinë që të jenë në qeveri, kështu që nuk ka problem për sa u përket numrave. Megjitatë, unë dëshiroj që të kem një qeveri cilësore dhe shumëetnike. Dhe kjo do të arrihet shpejt. //bsa//

XS
SM
MD
LG