Lidhje

Roli i Benazir Butos në politikën pakistaneze


Ish-kryeministrja Benazir Buto ishte një ndër tre figurat kryesore udhëheqëse pakistaneze në zgjedhjet kombëtare të vendit në janar të 2008.

Zonja Buto, ish-kryeministri Navaz Sharif dhe Presidenti aktual Pervez Musharaf kryesojnë tre partitë më të forta të vendit dhe të tre kanë qenë emrat kryesorë prej kohësh në luftën për pushtet.

Babai i zonjës Buto, Zulfikar Ali Buto ka qenë President dhe Kryeministër i Pakistanit 2 herë gjatë viteve ’70. Ai u rrëzua nga pushteti me grusht shteti dhe u ekzekutua me varje në vitin 1979 nga sundimtari ushtarak Zia ul-Haq.

Zonja Buto u zgjodh fillimisht kryeministre në vitin 1988. Në vitet ’90, ajo u shkarkua nga detyra nën akuzat për korrupsion.

Navaz Sharif i cili fitoi zgjedhjet dhe zëvendësoi zonjën Buto në postin e kryeministrit në vitin 1990, u largua nga detyra për pak kohë nën akuza korrupsioni, por u kthye përsëri në post. Pas polemikave politike që shkaktuan akuzat ndaj tij, ai dha dorëheqjen në vitin 1993.

Zonja Buto siguroi në atë kohë rizgjedhjen në post dhe qëndroi si kryeministre deri në vitin 1996, kur u detyrua të largohej nën akuza korrupsioni. Zonja Buto mërgoi jashtë atdheut në vitin 1998.

Zoti Sharif u kthye në pushtet në zgjedhjet e vitit 1998, ndërsa në 1998 marrëdhëniet e tij me ushtrinë u acaruan si rezultat i dështimit të një fushate ushtarake në Kashmir. Ai largoi nga detyra komandantin e përgjithshëm ushtarak, Gjeneralin Pervez Musharaf, por humbi vetë postin, pasi u rrëzua nga pushteti me grushtin e shtetit të organizuar nga Gjenerali Musharaf.

Zoti Sharif u shpall fajtor nën akuzat për korrupsion në vitin 2000, u dëbua nga vendi dhe u vendos në Arabinë Saudite.

Presidenti Musharaf ka qenë në pushtet që nga grushti i shtetit i vitit 1999. Nga mesi i vitit 2007, ai përjetoi rënie në popullaritet dhe presion në rritje nga qeveritë perëndimore për të ndërmarrë reforma demokratike.

Ai hoqi dorë nga posti i komandantit të përgjithshëm ushtarak, u zotua të organizojë zgjedhje të lira dhe të drejta dhe u hapi rrugën si zonjës Buto ashtu edhe zotit Sharif për t’u kthyer në atdhe. //bsa//

XS
SM
MD
LG