Lidhje

2007-a – një vit i trazuar për Pakistanin, aleat i fuqishëm i SHBA 


Vrasja e Benazir Bhuttos – ndër figurat më liberale të Pakistanit i jep fund një viti mjaft të trazuar në këtë vend që cilësohet si njëri prej aleatëve më të fuqishëm të Amerikës në luftën kundër terrorizmit. Kjo ngjarje shënon ndoshta edhe fillimin e një viti tjetër të trazuar për Presidentin pakistanez Pervez Musharraf, i cili përballet me dy sfida të vështira: rritjen e ekstremizmit në rajonet fisnore dhe luftën për kontroll politik.

Vrasja e Benazir Bhuttos shënon fundin tragjik të një viti plot trazira për Pakistanin. Vdekja e saj pas një mitingu politik në Ravalpindi përbën ndoshta një pikë kthese për këtë vend të zhytur në një betejë mes ekstremistëve fetarë dhe forcave liberal demokratike që ajo udhëhiqte.

Për Zonjën Bhutto, dhuna nuk ishte diçka e panjohur. I ati i saj u var në vitin 1979 pas një puçi ushtarak. Kthimi i saj në Karaçi në tetor të këtij viti pas një mërgimi të gjatë, u shoqërua me një shpërthim vetvrasës, i cili gati i mori jetën ish kryeministres 54-vjeçare dhe shkaktoi vdekjen e më shumë se 130 vetëve. Qeveria fajësoi për ngjarjen militantët pro al-Kaidës. Ndërsa vetë zonja Bhutto ia hodhi fajin Presidentit Musharraf, i cili sipas saj kishte lejuar ekstremistët ta mbanin peng vendin.

"Procesi politik po minohet, udhëheqësit politikë po sulmohen me bomba dhe vendi është në rrezik. Është në rrezik nga ekstremizmi i cili është përhapur nën diktaturë," tha zonja Bhutto.

Vetëm pak javë pas rizgjedhjes president për një tjetër mandat pesëvjeçar, zoti Musharraf vendosi gjendjen e jashtëzakonshme dhe pezulloi Kushtetutën. Presidenti Musharraf e justifikoi vendimin e tij me trazirat politike dhe me shtimin e terrorizmit në disa pjesë të vendit.

"Mosveprimi në këtë moment është vetvrasje për Pakistanin dhe unë nuk mund të lejojë që vendi të bëjë vetvrasje," deklaroi ai.

Problemet politike të vendit nisën në mars të këtij viti, kur zoti Musharraf pezulloi kryetarin e gjykatës së lartë të vendit. Ky vendim u prit me zemërim nga shumë pakistanezë dhe u bë shkak për protesta të dhunshme në rrugë.

Mijra aktivistë u arrestuan, gjykatësit që mendohej se ishin kundër qeverisë u shkarkuan dhe stacionet televizive, të cilat për ironi lindën pikërisht në kohën e Musharrafit, u detyruan të mbyllen.

Kryetari i gjykatës së lartë u rikthye në postin e tij por pavarësia në rritje e gjyqësorit shihej si kërcënim ndaj planeve për rizgjedhje të zotit Musharraf, i cili ende ishte shef i ushtrisë, dhe kjo konsiderohej si jokushtetuese nga shumë pakistanezë.

Vëzhguesit e huaj paralajmërojnë se dhuna me motive fetare mund të minojë përparimin liberal demokratik në Pakistan. Ja ç’thotë ish senatori amerikan Tom Daschle, drejtor i Institutit Demokratik Kombëtar.

"Dhuna e cila vazhdon në rajonet fisnore, po depërton tani pak nga pak edhe në zonën kufitare veriperëndimore. Ekstremistët atje kanë filluar të sulmojnë dyqane videolojrash apo berberhane që rruajnë mjekra, në përpjekje për t’u imponuar njerëzve besimet e tyre fetare."

Më në fund, pas presioneve të jashtëme dhe të brendshme, Gjenerali Musharraf hoqi dorë nga posti ushtarak dhe premtoi zgjedhje të drejta dhe të lira në vitin 2008.

Megjithëse e ka hequr gjendjen e jashtëzakonshme dhe i ka bërë ndryshime kushtetutës, Presidenti Musharraf nuk duket se ka plane për të zbutur kufizimet ndaj medias përpara zgjedhjeve të caktuara për në janar.

"Natyrisht nuk mund të sakrifikohet stabiliteti dhe zhvillimi i vendit për hir të pikpamjeve mbi demokracinë, mbi liritë civile ose mbi të drejtat e njeriut,” u shpreh ai në një rast.

Disa vëzhgues politikë mendojnë se zgjedhjet e janarit janë tashmë në rrezik të mos mbahen për shkak të vrasjes së Bhuttos – një tjetër shenjë kjo se trazirat në Pakistan do të vazhdojnë edhe në vitin 2008. //ii

XS
SM
MD
LG