Lidhje

Shqipëri: Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve kritikon korrupsionin


Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve i bën thirrje administratës shtetërore dhe partive politike për transparencë "Dy mijë e njëqind raste korrupsioni janë vetëm një pjesë e vogël e dukurisë që po gërryen shtetin dhe shoqërinë," thonë ata.

Mungesa e transparencës ishte tipari kryesor i administratës shtetërore dhe forcave politike edhe për vitin 2007, bëri të ditur Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve.

Përfaqësuesit e organizatës së njohur joqeveritare deklaruan sot se gjatë këtij viti kanë denoncuar 2100 raste korrupsioni të zyrtarëve dhe gjyqtarëve, ndërsa nga ana tjetër administrata shtetërore nuk ka kthyer përgjigje për 50 për qind të ankimeve dhe kërkesave për informacion, duke shkelur hapur ligjin dhe të drejtat e qytetarëve.

"Gjatë këtij viti bashkëpunimi mungoi në 50 për qind të rasteve, dhe nëqoftëse ky bashkëpunim do të mungojë edhe gjatë vitit të ardhshëm, atëherë ne do t'u drejtohemi qytetarëve, të cilët janë të detyruar që të mbrojnë shtetin ligjor dhe të drejtat e tyre" - tha në një konferencë drejtori i Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve, Aldo Shala.

Ai shton se pjesëmarrja e qytetarëve është shpresa e fundit për vendosjen e shtetit të së drejtës, ndërkohë që pushteti qendror dhe ai vendor i kanë përjashtuar ata në diskutimet themelore si buxheti, vendimmarrja, planifikime urbane, duke mos bërë transparencën e veprimtarisë së institucioneve.

"Mungesa e transparencës së institucioneve shtetërore fillon qysh nga mungesa e transparencës që kanë vetë partitë politike, të cilat në këto 17 vite kanë funksionuar si subjekte informale, dhe nuk deklaruan asnjëherë se nga i kanë marrë paratë për të organizuar fushatat përrallore elektorale" - tha zoti Shala.

Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve vlerësoi se për paradoks legjisacioni shqiptar është shndërruar në një burim konfliktesh sociale dhe nxit abuzimet e korrupsionin.

Nga ana tjetër, sipas ZMQ, pushteti gjyqësor i korruptuar vuan nga paaftësia për të dhënë drejtësi dhe nga mungesa e kurajos për të qenë i pavarur dhe jashtë ndikimit politik.

Si përfaqësuese dhe bashkëpunëtore e organizatës "Transparency International", Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve është bërë prej disa vitesh një nga organizatat më të spikatura të luftës kundër korrupsionit në Shqipëri, si duke zhvilluar protesta, ashtu edhe duke dhënë ndihmë juridike falas viktimave të korrupsionit. //bsa//

XS
SM
MD
LG