Lidhje

Biznesi i përpunimit të diamantëve në Anversë të Belgjikës


Qyteti i Anversës në Belgjikë ka qënë për shekuj vendi i një industrie të zhvilluar diamantësh. Tradicionalisht, punishtet e diamantëve i përkistin komunitetit hebraik të qytetit. Por suksesi i firmave indiane në Anversë, kostoja e ulët e punës në Azi dhe vendimi i vendeve afrikane për të zhvilluar industrinë e tyre të diamanteve e kanë ndryshuar karakterin e tregtisë së diamanteve në Anversë.

Bursa e Diamanteve në Anversë është një vend ku fjala dhe jo kontrata shërbejnë si marrëveshje për shit-blerje. E themeluar në vitin 1904, anëtarët e saj përfshijnë shitës, artizanë dhe sekserë, që duhet t’i përmbahen me pikmëri një kodi veprimi. Sot, rreth 1500 firma diamandi kanë zyrat e tyre në tri rrugë të lidhura me njera tjetrën dhe të siguruara mirë. Autoritetet e diamantit në Anversë thonë se në këtë qytet tregtohet 80 përqind e diamandit të botës.

Hebrejtë ortodoksë në Evropë, që dikur e dominonin këtë industri, nuk e kanë më fuqinë e dikurshme. Qendra Botërore e Diamanteve thotë se indianët zotërojnë tani dy të tretat e tregtisë 29 miliardë dollarëshe të Anversës dhe pjesa e hebrejve ka rënë në një të katërtën.

Philip Claes i Qendrës Botërore të Diamanteve në Anversë e hedh poshtë idenë se ky ndryshim është bërë burim tendionesh mes dy komuniteteve. "Në fakt, njerëzit janë gëzuar që tregtarët indianë hynë në këtë treg, sepse provoi se Anversa ishte e rëndësishme dhe ata kishin nevojë për të”.

Ndërkohë që tregtarët indianë hynë në këtë treg, industria e punimit të diamantit nga Anversa u transferua në Indi dhe në Kinë. Qendra e Diamanteve thotë se në vitet 60-të, qyteti kishte rreth 25 deri në 30 mijë artizanë kryesisht hebrej. Sot atje punojnë më pak se një mijë artizanë diamanti. Rreth 30 mijë hebrej të Anversës u zhdukën gjatë Holokaustit në Luftën e Dytë Botërore, por eventualisht tregtia e diamantit u ripërtëri. Punimi i diamantit kaloi nga babai tek i biri, sipas një tradite që e ka origjinën në shekullin e 15-të.

Kompania e Alain Majerczyk-ut, SAFDICO, punëson më pak artizanë se sa dikur, por ai thotë se me teknologjinë e sotme moderne, ata janë mes më të mirëve në botë. "Ta studiosh këtë gur të çmuar, duhet simuluar gjithçka në kompjuter, para se të fillosh të punosh me të. Por edhe kur gjithçka është përgatitur në kompjuter, duhet të kesh një artizan shumë të mirë për ta realizuar atë”.

Disa tregtarë diamanti thonë se punimi dhe teknologjia e diamantit është transferuar tashmë jashtë Anversës. Por për Raj Mehta-n e firmës Rosy Blue, Anversa ofron diçka tjetër, një mjedis natyral ku gjithkush mund të tregtojë. Zoti Mehta ia atribuon traditës familjare suksesin e indianëve të Anversës. "Në kulturën indiane, tradicionalisht fëmijët kanë hyrë në biznesit e babait. Unë hyra në biznesin e babait tim dhe shpresoj që edhe im bir të hyjë në biznesin tim, gjë që nuk ndodh aspak në kulturën perëndimore apo atë evropiane”.

Në distriktin kryesor të diamantit në Anversë, biznesi duket se po lulëzon si për komunitetin hebraik ashtu edhe atë indian. Edhe tregtarët kanë besim se objektet, aftësitë dhe teknologjia do të vazhdojnë të tërheqin gurët më të mirë të diamantit në Antversë. //ad//

XS
SM
MD
LG